
Disa mijëra njerëz mbajtën një protestë në Amsterdam të dielën kundër masave për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë, përpara se të shpërndaheshin nga policia pasi nuk kishin marrë autorizim.
Protestuesit u mblodhën në një shesh përpara galerive të artit “Rijksmuseum” dhe “Van Gogh”, duke mbajtur pankarta ku kërkohej liria dhe heqja e masave, raporton Reuters.
Askush nuk mbante maska, të cilat nuk janë të detyrueshme, dhe nuk u respektuan rregullat e distancimit social.
Autoritetet kishin refuzuar më herët kërkesën për protestë. Demonstruesit nuk pranuan të largoheshin kur policia u bëri thirrje dhe disa hodhën fishekzjarre.
Policia më pas përdori ujë me presion për të shpërndarë tubimin.
Qeveria holandeze mbylli shkollat dhe shumicën e dyqaneve në dhjetor në përpjekje për të ndaluar rritjen e rasteve të COVID-19 dhe këtë javë zgjati bllokimin me të paktën tre javë të tjera.