Mbrëmjen e djeshme dhjetëra banorë të Shkozës protestuan duke bllokuar rrugën kryesore, kundër prishjes së banesave të tyre.
Sipas projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Transporteve, 153 familjeve duhet t’i prishen shtëpitë për të zgjeruar rrugën e Shkozës.
Gazetari Erjon Skëndaj lajmëroi se mes shtëpive që duhen prishur ka ndërtesa me leje të rregullta, banesa në proces legalizimi dhe ndërtesa të para viteve 90’.
Në protestën e banorëve ka ndërhyrë policia duke përdorur dhunë. 15 protestues, mes të cilëve dhe një fëmijë 12 vjeçar.
Ngjarja që solli reagimin e disa deputetëve ishte reagimi tronditës i një fëmije rreth 6 vjeç në momentin kur policia i arreston prindërit.
Një numër i madh policësh shfaqen në videon e siguruar nga BalkanWeb, duke futur me forcë në furgonin e policisë prindërit e 6 vjeçarit, teksa ky i fundit ulëret dhe qan.
Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha u shpreh se banorët e Shkozës janë gënjyer me premtimin gjatë fushatës se shtëpitë e tyre nuk do të prisheshin:
“Janë këto pasojat e para të votës së 25 Qershorit, votë kjo që u mor mes shumë mashtrimesh por njëra prej tyre ishte pikërisht se banorëve ju premuta se nuk do t’ia prishnin shtëpitë që ishin gjaku dhe djersa e tyre.”
Ndërkohë deputetja demokrate Grida Duma vizitoi gjatë mbrëmjes protestuesit dhe shprehu mbështetjen e saj për kauzën e tyre.
Banorët shprehen të vendosur të vazhdojnë protestën e tyre derisa shteti të gjejë një mënyrë për t’i dëmshpërblyer banorët e jo për t’i hedhur në rrugë.
Prishja e shtëpive pa dëmshpërblyer banorët është jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por është dhe qëndrim absurd i qeverisë po të kemi parasysh se tokat në anë të rrugës, pas zgjerimit, do t’i jepen oligarkëve për të ndërtuar pallate shumëkatëshe.