Protestuesit i kanë vënë flakën pemës së Krishlindjeve tek kryeministria, në shenjë zemërimi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.
Qindra qytetarë janë mbledhur sot para Ministrisë së Brendshme në shenjë revolte për ngjarjen e së martës, ku një polic qëlloi dhe vrau një 25-vjeçar pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.
Pas thirrjeve kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryeministrit Rama, pati përplasje me forcat e policisë. Më pas një pjesë e protestuesve u zhvendosën përpara godinës së kryeministrisë.
Ata u përpoqën të rrëzonin bredhin e Krishtlindjeve por u tërhoqën dhe më pas i vunë flakën. Zjarri i pemës u shua por protesta vijon të mbetet e tensionuar mes thirrjeve për dorëheqje të ministrit Lleshaj por edhe për largimin e kryeministrit Rama.
Policia e Shteti ka pohuar të mërkurën se po analizon të gjitha shkaqet që çuan në vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha.
Opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj për vrasjen e të riut.
Klodian Rasha, 25 vjeç u ekzektutua nga një polic në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi ai nuk iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar.
Për këtë ngjarje reagoi dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili shprehu ngushëllime për familjen dhe i kërkoi prokurorisë të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje.