Protestat kundër masave në Gjermani shtuan rastet e infektimit

Nga Exit News
Protestat kundër masave në Gjermani shtuan rastet e infektimit

Një studim zbuloi se protestat në Gjermani kundër masave shtuan rastet e infektimit në vend.

Studimi i botuar të martën u krye nga Qendra Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) dhe Universiteti Humboldt i Berlinit.

Ai mori në shqyrtim dy protesta të organizuara nga Querdenken në Nëntor 2020 në Berlin, ku morën pjesë mbi 10 mijë njerëz dhe një protestë në Leipzig ku morën pjesë mbi 20 mijë njerëz.

Që nga vera në Gjermani ka pasur disa protesta të mëdha kundër masave të koronavirusit, dhe pjesëmarrësit shpesh nuk kanë respektuar rregullat e distancimit dhe nuk kanë mbajtur maskën.

Studimi arriti në përfundimin se nëse këto dy protesta do ishin anuluar, rreth 16,000 deri në 21,000 raste me koronavirus mund të ishin parandaluar deri në Krishtlindje.

Studiuesit vëzhguan edhe rrethet ku operonte një rrjet autobusësh i cili dërgonte protestuesit në tubimet e Querdenken. Ata zbuluan se në këto rrethe, niveli i infeksionit u rrit ndjeshëm pas dy demonstrimeve, raporton Politico.

“Studimi tregoi se si sjellja e disa mijëra mund të ketë një ndikim të madh në shëndetin publik”, thanë studiuesit.

Gjermania mund të lehtësojë kufizimet anti-Covid para pranverës, në rast se numri i të infektuarve do të vijojë të ulet.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn deklaroi pak ditë më parë se vendi ‘nuk mund të qëndrojë në karantinë të plotë gjatë gjithë dimrit’.

Gjermania hyri në një karantinë të pjesshme në nëntor, duke mbyllur baret, restorantet dhe mjediset kulturore dhe sportive.

Në mes të dhjetorit, qeveria vendosi dhe mbylljen e shkollave e dyqaneve jo-thelbësore teksa në Europë nisi të shpërhapej dhe varianti britanik i Covid-19.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>