Teksa në Tiranë familjarët e 23 protestuesve të arrestuar, po protestojnë jashtë gjykatës, në Ballsh, naftëtarët po protestojnë për pagat e pamarra dhe për rifillimin e punës në uzinë.
Naftëtarët janë përplasur me policinë pasi kanë tentuar të hyjnë brenda në uzinë.
Protestuesit shprehen se kërkojnë të takohen me administratorin e kompanisë së re që ka marrë në menaxhim rafinerinë e Ballshit, kompania Bylis Energy. Administratori ka refuzuar të takohet me naftëtarët dhe në momentet kur këta të fundit janë future me forcë në uzinë, policia ka mundur të nxjerrë administratorin jashtë.
Naftëtarët deklaruan se as kompania e re, as ajo e vjetra dhe as shteti nuk marrin përsipër likuidimin e detyrimeve të mëparshme ndaj naftëtarëve: 15 paga të papaguara për rreth 1000 naftëtarë dhe sigurimet shëndetësore e shoqërore.
Po ashtu naftëtarët shpjegojnë se nuk e dinë ende se kur do të rifillojë puna në uzinë. Aktualisht ata janë të pa punë dhe pa asnjë të ardhur për familjet e tyre.
Ata paralajmëruar ardhjen në Tiranë dhe përshkallëzim të protestave nëse kompania dhe ministria nuk i përgjigjen kërkesave të tyre.