Policia në Holandë ka përdorur ujë me presion dhe shkopinj gome për të shpërndarë qindra protestues në Hagë.
Turma kundërshton masat e izolimit, të vendosura për të luftuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Protesta e së dielës në Hagë vjen vetëm një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Policia ndërhyri kur protestuesit shkelën rregullat e mbajtjes së distancës fizike dhe injoruan thirrjet e autoriteteve të sigurisë për t’u shpërndarë.
Mediat lokale raportuan se policia ka ndaluar disa protestues.
Autoritetet ndaluan shërbimin e trenave në Hagë, për të parandaluar grumbullimin e më shumë protestuesve.
Holanda ka qenë nën masa të forta izolimi që prej fundit të janarit dhe në vend ndalohet grumbullimi i më shumë se dy personave.
Po ashtu, restorantet dhe baret janë mbyllur dhe gjatë natës aplikohet edhe kufizimi i lëvizjes.
Pavarësisht masave të rrepta, qytetarët holandezë pritet të marrin pjesë në zgjedhje. Duke filluar nga e hëna do të hapen qëndrat e votimit, që do të qëndrojnë të hapura për tre ditë, me qëllim shmangien e grumbullimit të qytetarëve.
Partia e kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte, synon që të marrë edhe një mandat të ri katërvjeçar.
Shumica e qytetarëve holandezë përkrahin masat e izolimit, pasi ky shtet ka një ndër shkallët më të larta të infektimit në koronavirus në Evropë.
Por, masa e kufizimit të lëvizjes gjatë natës është zgjatur deri në fund të marsit dhe kjo ka nxitur pakënaqësi në disa qytete holandeze.
Holanda, që ka popullsi prej 17 milionë banorësh, ka regjistruar mbi 1.1 milion raste me koronavirus dhe mbi 16.000 viktima.
jeshtron festat që nxisin valën COVID-19