Protestuesit kundër ndërtimit të këndit të lojrave në Park kanë çarë, sot në mbrëmje, rrethimin e kantjerit të ndërtimit dhe e kanë pushtuar atë, duke ngritur çadrat e tyre në park.
Në një manovër “dinake” një grup i protestuesve i ka tërhequr policët në një pjesë të rrethimit, ndërkohë që një grup tjetër, pa u vënë re, ka rrëzuar rrethimin e kantjerit në një pjesë tjetër të perimetrit.
Mbasi kanë hyrë brenda, protestuesit kanë tentuar të ngrejnë çadrat.
Mbas ardhjes së forcave Shqiponja dhe atyre speciale, policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve duke i nxjerrë ata forcërisht nga kantjeri.
Protestuesit janë rigrumbulluar në vendin e zakonshëm “tek ulliri” dhe kanë deklaruar se do të vazhdojnë qëndresën e tyre.