Provimet kombëtare të klasës së 9-të dhe ato të matures, me shumë gjasa, nuk do të shtyhen dhe do të zhvillohen në datat e zakonshme.
Sipas ministres së Arsimit Besa Shahini, ‘nuk ka ende arsye të mendojmë që provimet kombëtare nuk do të mbahen.’
Ajo tha se mësimi për klasat 1-12 po vazhdojnë online dhe rreth 90 për qind e nxënësve kanë komunikim direkt me mësuesit, ndaj nxënësit duhet të planifikojnë që provimet kombëtare do të mbahen sipas planit të bërë që më parë.
Zonja Shahini i këshilloi nxënësit që të përdorin udhëzimet e Ministrisë së Arsimit me modele pyetjesh, si për maturantët ashtu edhe për nxënësit e klasave të 9-ta, që të ushtrojnë sa më shumë që të jetë e mundur me llojet e pyetjeve që do t’i kenë nëpër provime dhe të thellojnë njohuritë e tyre për të gjitha lëndët që mund të jenë në provimet.