PS kërkon të shkarkojë Arben Malajn nga BSH në shkelje të ligjit

PS kërkon të shkarkojë Arben Malajn nga BSH në shkelje të ligjit

Socialistët i kërkuan sot Kuvendit shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë duke marrë kështu kompetencat e bordit drejtues.

Me një shkresë prej 9 faqesh, 28 deputetë të PS-ës i propozuan Kuvendit shkarkimin e Malajt për “shkelje të rënda etike”.

Malaj ka kritikuar prej kohësh qeverinë në rrjetet sociale, kritika që duket se e kanë shqetësuar maxhorancën aq sa të kërkojë shkarkimin e tij edhe duke tejkaluar kompetencat.

Sipas “Ligjit për Bankën e Shqipërisë” (Neni 47- Pika 2), “për shkelje etike”, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës “shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit”.

Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga 9 anëtarë.

Gent Sejko e Luljeta Minxhozi kryesojnë Këshillin si kryetarë dhe zëvendëskryetare, më pas anëtarë janë Natasha Ahmetaj, Tonin Kola, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha, Ridvan Bode dhe Arben Malaj.

Për ta shkarkuar Malajn për “shkelje të etikës” socialistët duhet të kishin propozim nga 5 prej anëtarëve të Këshillit.

Ata nuk e kanë patur një propozim të tillë, pasi prej më shumë se 2 muajsh anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës e kanë injoruar Kuvendin në këtë çështje.

Me kërkesën e paraqitur Kuvendit, socialistët i kanë marrë kompetencën e propozimit Këshillit duke interpretuar kodin e Procedurave Administrative, që thotë se kur një detyrë nuk zbatohet, apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”.

Arben Malaj u zgjodh nga socialistët në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2016 duke zëvendësuar Ermelinda Meksin që pati dhënë dorëheqjen.

Ai u votua me 107 vota “pro” dhe asnjë “kundër”, por tashmë kërkohet të shkarkohet me arsyen se “ka shkelur etikën”.

Për këto shkelje, socialistët nënkuptojnë qëndrimet kritike të Malajt ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Disa nga postimet e Malajt ku kritikon qeverinë dhe kryebashkiakun Veliaj.

Malaj ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë dhe sidomos mënyrën e administrimit të Bashkisë nga Veliaj.

Në postime të shumta në rrjetet sociale Malaj ka kritikuar arrogancën, tenderat abuzive dhe politikën e gjobave të ndjekura sidomos nga kryebashkiaku Veliaj.

Ndërsa sot, pas nismës së PS-së, Malaj u shpreh është kërcënuar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Balla dhe se për këtë ka raportuar dhe në Këshillin e Bankës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>