PS i jep dozë realiteti PD-së: asgjë nuk varet nga ju

Nga Exit News
PS i jep dozë realiteti PD-së: asgjë nuk varet nga ju

Partia Socialiste ka kundërshtuar sot deklarimet e javëve të fundit të PD-së, në lidhje me pushtetin që PD shprehet se ka fituar në tryezën e bisedimeve me PS-në dhe pretendimin e saj se do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Pas pohimeve të djeshme të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili me indirekt u përpoq të përçonte në publik idenë se pas reformës zgjedhore do të ketë zgjedhje të parakohshme, numri 2 i PS-së, Taulant Balla e quajti, sot, këtë pretendim “një fantazi të PD-së” për të mbajtur të gjallë shpresën tek militantët dhe aleatët e saj.

Në një sqarim të gjatë, botuar në rrjetet sociale, Balla ka përshkruar një tjetër realitet politik nga ai që ka pretenduar kohët e fundit PD në lidhje me bisedimet PD-PS dhe zhvillimet e pritshme politike pas tyre.

Së pari, Taulant Balla ka goditur pohimet e shpeshta të PD-së se tavolina jashtëparlamentare e diskutimit ka delegjitimizuar “parlamentin fallc”. Balla ka kujtuar se PS nuk i ka 84 votat e nevojshme për të miratuar reformën zgjedhore, prandaj miratimi do të varet nga votat e opozitës parlamentare. Për këtë arsye, Balla ka “këshilluar” PD-në që të mos e provokojë opozitën parlamentare me qendrime nënvlerësuese ndaj saj, pasi ajo është jetike për miratimin e reformës.

Së dyti, Balla ka përgënjeshtruar pretendimin e PD-së se reforma zgjedhore do të çojë në zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se bisedimet mes PS-së dhe PD-së kanë subjekt vetëm reformën zgjedhore dhe nuk do të përfshijnë asnjë diskutim për zgjedhje të parakohshme.

Së treti, Balla ka konfirmuar se reforma nuk do të sjellë ndryshime thelbësore të sistemit, pasi ajo do të përqendrohet vetëm në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat kanë natyrë teknike e administrative.

Së katërti, Balla ka shfryrë justifikimet e PD-së se negociatat nuk e legjitimojnë Damian Gjiknurin, duke pohuar se PD nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse të negociojë me Gjiknurin, pasi ai është personi i caktuar unanimisht nga PS për bisedimet për reformën zgjedhore.

Së fundi, duke reflektuar cinizëm dhe megallomani, Balla ka njoftuar PD-në që do jetë ai që do merret me të gjitha deklarimet dhe çështjet publike me PD-në pasi kryetari i PS-së nuk ka kohë të merret me këto çështje pasi është shumë i zënë me zgjidhjen e problemeve botërore, si kryetar në detyrë i OSBE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>