Shkarkimi i Ylli Manjanit nga posti i Ministrit të Drejësisë, dje, me urdhër të Kryeministrit Rama ka shkaktuar debate në opinion publik për mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Faktikisht gjatë vitit të fundit marrëdhënia mes PS e LSI është vënë shpeshherë në pikëpytje. Krisja e parë, ose më e zhurmshmja, ishte ajo e ditëve përpara miratimit të reformës në drejtësi, në korrik 2016.
Kur PS e PD nuk po gjenin konsensus, kreu i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta propozoi miratimin me konsensus të reformës dhe krijimin menjëherë të një qeverie teknike që do përgatisë zgjedhje të parakohshme.
Këtë zgjidhje ai e justifikoi me klimën e mosbesimit që ekzistonte jo vetëm mes palëve politike, por edhe nga publiku për politikën në përgjithësi:
Miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.
Pas miratimit të reformës, kur dukej se çdo gjë u normalizua, dy aleatët filluan të mbanin qëndrime të ndryshme për një tjetër temë shumë të rëndësishme: kanabizimin e vendit.
Kur kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri mohonin zmadhimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis në gjithë vendin, Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të LSI-së në dhjetor 2016, deklaroi:
Shqipëria nuk mund të zhvillohet me kanabis. Në asnjë rast varfëria e përhapur nuk mund të luftohet dot me kanabis. Vendet e punës nuk hapen me kanabis.
Ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte po ashtu, një prej zërave më të ashpër kundër heshtjes së Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri për fenomenin e kanabizimit.
Në janar 2017, Zoti Manjani deklaroi:
Fenomeni [i kanabisit] ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash. Problemi është shumë serioz. Duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.
Arrestimi i Klement Balilit ishte një tjetër çështje ku LSI, e veçanërisht Ylli Manjani, ndahej me PS-në.
Deklaratës së Ambasadorit amerikan Lu ku theksonte paaftësinë e institucioneve shqiptare për të luftuar krimin e për të arrestuar Balilin, Zoti Manjani ju përgjigj:
Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Kelmend Balilit.
Dua të sjell në vëmendje se Ministri i Drejtesisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë! Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!
Për mosarrestimin e Klement Balilit, më 25 janar 2017, kreu i Kuvendit Ilir Meta i kërkoi Presidentit Nishani ngritjen e Komisionit të Sigurisë. Presidenti e pranoi këkresën e ti dhe vendosi mbedhjen e komisionit më 31 janar.
Pas këtij vendimi reagoi edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri, duke u shprehur se:
Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as për Lazaratin.
Pak ditë pas këtyre deklaratave e një ditë përpara se të zhvillohej mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Ylli Manjani shkarkohet me vendim të Kryeministrit Rama. Ky i fundit nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike mbi arsyet që e çuan në atë vendim. Gjithsesi disa nga përplasjet kryesore mes Ramës e Manjanit i bëri publike ky i fundit, dje në deklaratën e tij për shtyp.
Zoti Manjani u shpreh se shkarkimi i tij është hakmarrje e Kryeministrit Rama pas deklaratave të tij për kanabizimin e vendit, mosarrestimin e Klement Balilit, si dhe për faktin se nuk pyet Drejtorin e Komunikimit të qeverisë Endri Fuga për deklaratat e tij.
Megjithë shkarkimin e Ylli Manjanit dhe emërimin e Petrit Vasilit në postin e Ministrit të Drejtësisë, duket se paqja në koalicion nuk është rikthyer.
Dje në mbrëmje, kreu i sapoemëruar i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, la të kuptohej se LSI do ta vazhdojë koalicionin me PS-në pavarësisht pakënaqësisë së LSI-së me disa nga reformat kryesore, kur deklaroi:
Marrëdhëniet mes dy partive nuk kanë qenë ndonjëherë rozë. Kanë luhatje, por në thelb janë funksionale. Pavarësisht polemikave dhe diferencave në qendrime, reformat i kemi votuar dhe mbështetur edhe pse kemi qenë të bindur se një pjesë e tyre do të dështonin, si ajo në shëndetësi dhe ajo në arsim.
Unë flas në emër të LSI-së. Nëse [koalicioni] prishet nga të tjerët, të tjerët mbajnë përgjegëjsi vetë. Ne nuk prishim marrëveshje për të cilat jemi investuar maksimalisht.