Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin më 12 qershor, një ditë para zgjedhjeve në PD, ku do të nisë një proces hapjeje dhe riorganizimi të saj.
Vendimi për mbledhjen e Kongresit u mor të martën nga Asambleja Kombëtare e cila u drejtua nga sekretari i përgjithshëm Taulant Balla.
“Kongresi do të autorizojë Kryetarin dhe Kryesinë e Partisë për ngritjen e menjëhershme të një Komisioni i Posaçëm Riorganizimi”, u shpreh Balla.
Në Kongres pritet të paraqiten edhe angazhimet kryesore të PS në mandatin e tretë qeverisës.
Ai do të pasohet nga një fushatë hapjeje dhe riorganizimi brenda PS-së që pritet të zgjasë një vit sipas kalendarit të miratuar sot nga Asambleja e PS-së.
Balla tha gjithashtu se gjatë kësaj periudhe do të nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen në 2023 dhe ato të përgjithshme në 2025.