Partia Socialiste është e gatshme të ndryshojë qendrim për pragun kombëtar dhe rirenditjen e kandidatëve për deputet. PS nuk tërhiqet nga koalicionet parazgjedhore me listë të përbashkët.
“Do të bëjmë një përpjekje të fundit për një kompromis me opozitën jashtëparlamentare, pa vënë në rrezik [..] çështjen e koalicioneve, duke u fokusuar në çështjet e tjera si pragu apo mënyra e ri-rënditjes së kandidatëve bazuar në votën preferenciale të zgjedhësve”, shkruan Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, në një letër të gjatë drejtuar PD dhe LSI, më 29 shtator.
Gjiknuri ka propozuar diskutimin e propozimeve për listat e hapura dhe pragun kombëtar më datë 1 tetor, ora 11:00, në Këshillin Politik.
Gjithashtu, Gjiknuri i ka kthyer përgjigje opozitës jashtëparlamentare për kërkesën e tyre mbi kushtetueshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, 6 muaj para zgjedhjeve. Sipas tij:
Koalicionet [..] janë taktikë politiko-elektorale e partive politike dhe zhvillohen në përputhje me interesat e partive të caktuara për të përforcuar impaktin e tyre në shoqëri.
Neni 96 i Kushtetutës [..] bën fjalë për “koalicionin qeverisës” dhe jo për “koalicionin zgjedhor”.
Koalicioni [..] nuk ka qenë pjesë e diskutimeve përgjatë negociatës për marrëveshjen. Prandaj koalicioni nuk ka zënë vend në tekstin përfundimtar të marrëveshjes.
Koalicionet dhe mënyra e formatimit të listës së kandidatëve nuk kanë qenë objekt i amendamenteve të datës 23 Korrik 2020.
Heqja e tyre bëhet për shkak të ndryshimeve që i erdhën sistemit nga adoptimi i votimit preferencial për kandidatët.
Procesi për Kodin Zgjedhor ka më shumë se dy vjet, nuk është i afërt me ditën e zgjedhjeve, nuk është i papritur dhe nuk është bërë për t’i siguruar mazhorancës avantazhe, por për të implementuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendamentet kushtetuese.
Kuvendi hoqi dorë nga implementimi i shumicës dërrmuese të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.