Partia Socialiste ka dorëzuar, të mërkurën, në kuvend draftin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë.
Më këtë vendim, PS ka shmangur diskutimin e propozimit të saj me opozitën jashtëparlamentare në Këshillin Politik.
Vendimi vjen pas një mbledhjeje të tensionuar të Këshillit në 22 shtator, ku PS këmbëngulte për diskutimin e modelit sipas së cilit do të hartohen listat, ndërsa PD e LSI kërkonin diskutimin për koalicionet parazgjedhore.
Pritet që propozimi i PS-së të shqyrtohet nga komisioni i Ligjeve në ditët në vijim dhe më pas të kalojnë në kuvend për miratim në 1 tetor.
Siç Exit News ka sqaruar më parë, propozimi i PS-së për ‘listat e hapura’ është praktikisht sistem me lista të mbyllura. Ai krijon vetëm një mundësi të vogël që ndonjë ndonjë kandidat shumë popullor që nuk behet dot deputet sipas renditjes së partisë të bëhet duke zëvendësuar fituesin e fundit nga lista e partisë.
Një ditë më parë, edhe përfaqësuesi i PS-së për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri e pranoi se propozimi i PS është me lista të mbyllura dhe jo me lista të hapura sikurse e kanë propaganduar gjatë gjithë kohës.
Në një intervistë për gazetarin Denis Dyrnjaja, në Top Talk, tha se listat e hapura 100%, do të sjellin “shkatërrim të përfaqësimit dhe do të jetë zhgënjimi më i madh i të gjithë shqiptarëve”.
Për të mësuar më shumë për propozimin e PS-së, lexoni këtu.