Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi i saj, Prokuroria mund t’i arrestojë deputetët pa i paraqitur prova Kuvendit.
Në janar të vitit 2018, PS kishte propozuar që ta bënte të detyrueshme, që për të marrë autorizim nga Kuvendi për arrestimin e mundshëm të një deputeti, Prokuroria duhej të paraqiste prova.
Por ditën e sotme teksa diskutohej për ndryshime të rregullores së Kuvendit, Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetja Vasilika Hysi thanë se PS ishte tërhequr nga ky propozim.
Propozimi i vitit të shkuar erdhi pas çështjes së ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin Prokuroria kërkonte ta arrestonte në bazë të dyshimeve që kishte për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Pasi kërkuan që Prokuroria t’u tregonte provat që kishte mbledhur për Tahirin, socialistët nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij.
Sidoqoftë ditën e sotme socialistët miratuan ndryshimet e tjera të propozuara prej tyre në rregulloren e Kuvendit.
Prej këtyre ndryshimeve, ato që tërhoqën vëmendjen janë: kufizimi i kohës së diskutimit të deputetëve në 10 minuta dhe zvogëlimi i numrit minimal të deputetëve të nevojshëm për nisjen e një seance parlamentare nga 71 në 15 deputetë.
Ndryshimet do të kalohen për votim në seancën plenare të 18 korrikut.