PS u shkruan ambasadorëve për të mbrojtur KQZ-në kundër dekretit të Presidentit

Nga Vincent Van Gerven Oei
PS u shkruan ambasadorëve për të mbrojtur KQZ-në kundër dekretit të Presidentit

Partia Socialiste ka hartuar një dokument për përfaqësuesit e huaj, me të cilin mbron si të drejtë vendimin e KQZ-së për të mos njohur dekretin e Presidentit Meta për anullimin e zgjedhjeve më 30 qershor.

Ky dokument, në gjuhën angleze, u është shpërndarë të gjitha përfaqësive diplomatike në Tiranë dhe një numër funksionarësh dhe politikanësh të qeverive dhe institucioneve perëndimore.

Dje, KQZ mori zyrtarisht dekretin e Presidentit dhe debatoi rreth zbatimit të tij. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, përfaqësues i PD-së, mbajti qendrimin se KQZ duhet të zbatojë dekretin pasi ajo nuk mund të gjykojë një akt të tillë:

Unë mendoj se KQZ, duhet t’i bindet një produkti të tillë, një dekreti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e Presidentit. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit.

Ndërsa, nënkryetari i KQZ Denar Biba, përfaqësues i PS-së, që ka shumicën e anëtarëve në KQZ, deklaroi:

Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ekziston.

Pas debatit, shumica socialiste në KQZ vendosi të mos e konsiderojë dekretin e Presidentit.

Në mbrojtje të këtij qendrimi, PS hartoi menjëherë opinionin ligjor të mësipërm. Sipas këtij arsyetimi, Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë ligjshmërinë e dekretit të Presidentit, sepse ku akt nuk përfshihet në juridiksionin e saj.

Ky pretendim duket sikur mbështetet në vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2017, pas marrëveshjes McAllister+, Presidenti Bujar Nishani miratoi me dekret shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Partia ‘Forca Rinia’ e ankimoi dekretin e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ai binte ndesh me Kodin Zgjedhor.

Në Vendimin Nr. 150, datë 16 qershor 2017, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative, ose, sikurse mund të jetë ky rast nga, Kolegji Zgjedhor, dhe si i tillë nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata.

Me fjalë të tjera, kjo nënkupton se mund të jetë kompetencë e Kolegjit Zgjedhor të vendosë nëse vendimi i marrë dje nga KQZ për ta quajtur dekretin e Presidentit Meta “akt administrativ absolutisht të pavlefshëm” është i ligjshëm apo jo.

Pavlefshëmria absolute e një akti administrativ, në këtë rast dekretit të Presidentit, përcaktohet nga neni 108, i Kodit të Procedurës Administrative (KPA), i cili thotë:

Akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm në rast se është […] në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë urdhëruese të këtij Kodi dhe legjislacionin në fuqi lidhur me kompetencën e organit publik.

Sipas Nenit 110, pika 2 të KPA-së:

Pavlefshmëria absolute e aktit mund të konstatohet në çdo kohë, kryesisht apo me kërkesë, të çdo të interesuari, nga organi publik që e ka nxjerrë atë, i cili është kompetent të shqyrtoje mjetet ligjore administrative, si dhe nga gjykata kompetente për çështjet administrative, sipas ligjit.

Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, organi kompetent në këtë rast nuk është Gjykata Kushtetuese, por gjykatat adminsitrative ose Kolegji Zgjedhor.

Pra, duke e kualifikuar dekretin e Presidentit Meta “akt absolutisht të pavlefshëm adminsitrativ, shumcia socialiste në KQZ-së ka hapur rrugën për apelim në Kolegjin Zgjedhor, i cili do të duhet të shqyrtojë këtë çështje.

Boshti i kësaj çështjeje është nëse dekreti i presidentit mund të konsiderohet vërtet  akt administrativ absolutisht i pavlefshëm”.

Partia Socialiste dhe KQZ shprehen se ai është i tillë, sepse Presidenti ka vetëm të drejtën të vendosë datën e zgjedhjeve, jo ta anullojë atë.

Prandaj sipas këtij arsyetimi, duke anulluar zgjedhjet, Presidenti Meta ka tejkaluar pushtetin e tij kushtetues dhe  ka lëshuar një “akt administraiv të pavlefshëm”.

Presidenti ka paraqitur argumentat e tij, që mbështeten në përmbushjen e detyrimit kushtetues të tij për të ruajtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke mbrojtur zgjedhjet në të cilat duhet të përfaqësohen të gjithë shqiptarët.

Në të shkuarën, presidentët shqiptarë kanë miratuar dekrete për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, dhe këto akte nuk janë quajtur asnjëherë “absolutisht të pavlefshme” nga KQZ, partitë politike apo institucione të tjera.

Nga ana tjetër, dekreti i Metës nuk është i njëjtë me dekretin e Presidentit Nishani në vitin 2017, për të cilin është shprehur Gjyakta Kushtetuese, sepse ai dekret shtyu datën e zgjedhjeve, ndërsa presidenti Meta, praktikisht, i ka pezulluar ato der sa të vendoset një datë e re.

Tani, me shumë mundësi, do të jetë në dorë të Kolegjit Zgjedhor të vendosë mbi këtë çështje, vetëm nëse, sigurisht, nuk do të dalë si me magji ndonjë “zgjidhje” politike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>