Partia Socialiste vazhdon të pretendojë se më 30 qershor mori po aq vota sa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe se rezultati i këtyre zgjedhjeve “nuk mund të kontestohet”. Pretendimit të mëhershëm të Elisa Spiropalit i është shtuar tashmë edhe kryetari i grupit Pralamentar të PS-ës Taulant Balla, i cili ndryshe nga Spiropali kësaj here nuk përmendi shifra.
Duke shprehur si fillim keqardhjen për qytetarët që nuk votuan, Balla deklaroi në parlament se e rëndësishme sipas tij ishte se “të paktën e drejta e votës iu garantua”. Kreu i grupit parlamentar pohoi:
Në këto zgjedhje kemi marrë ekzaktësisht të njëtën votë popullore që kemi marrë në 2017. Nuk ka asnjë bashki të vetme që mund të këtë një votë që mund të kontestohet dhe tani na pret një detyrë për të punuar për reformën zgjedhore dhe nuk kemi kohë për dëngla, por për punë.
Më herët, para se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) të deklaronte rezultatet zyrtare, Ministrja Elisa Spiropali tha në emisionin Open se për PS votuan 768 mijë qytetarë, “aq sa në zgjedhjet e vitit 2017”.
Në të vërtetë, sipas të dhënave të botuara nga KQZ, në zgjedhjet e vitit 2017 PS mori 764,750 vota, ndërsa në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 727,251 vota.
Në këto zgjedhje, të cilat u bojkotuan nga opozita, u shënua një rekord për sa i përket votave të pavlefshme, ku mbi 5.5% e zgjedhësve (45,276 persona) e shpërdoruan votën.