Pse Lulzim Basha po gabon me sjelljen ndaj partive të reja

Nga Ermal Mulosmani
Pse Lulzim Basha po gabon me sjelljen ndaj partive të reja

Krijimi i partive të reja nga ish eksponentë të Partisë Demokratike, ka krijuar një reagim plot ironi e mllef në mes përkrahësve të Partisë Demokratike. Kjo sjellje buron kryesisht nga qëndrimet armiqësore të mbajtura nga liderët e këtyre partive, Topalli, Patozi, Murrizi apo Hajdari ndaj liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe nga koha e zgjedhur për krijimin e tyre.

Në një analizë të ftohtë, mendoj se PD e ka gabim këtë qëndrim. E para askush nuk ka të drejtë të paragjykojë të drejtën kushtetuese të organizimit të individëve në një parti politike.

E dyta dhe kryesorja, këto sulme shkojnë kryekëput kundër interesave elektorale të Partisë Demokratike.

Çdo votues anti-Rama, që, për çfarëdolloj arsyeje, nuk është i interesuar për të votuar as Bashën e as LSI-në, është  praktikisht një bojkotues i 25 Prillit. Bojkotuesit në vetvete i shërbejnë pa dashjen e tyre, ruajtjes së gjendjes ekzistuese, pra pushtetit. Këta votues mundet t’i thithë për arsye lokale, tribale apo edhe ideologjike njëra prej këtyre partive. Fjala vjen, një numër i konsiderueshëm i votuesve të Shkodrës, Lushnjës, Kavajës ose Tiranës mund të votojnë Topallin, Patozin apo Murrizin e Hajdarin.

Atëherë pse PD duhet të sillet armiqësisht ndaj këtyre votuesve të djathtë që nesër mund të jenë aleatët e tyre? Pse do i çojë ata në kampin e Ramës me sjelljen e tyre linçuese në publik? Po sikur ato parti, në rast të një koalicioni të përbashkët mes veti, të marrin 2, 3 ose më shumë deputetë, çfarë do bëjë Lulzim Basha? Çfarë të keqe ka nëse përshëndetet krijimi i këtyre Partive dhe u bëhet thirrje të bashkohen para ose pas zgjedhjesh me PD-në?

Sali Berisha ka qenë mjeshtri më i madh i krijimit të koalicioneve. Ai ka arritur të rrijë në pushtet pikërisht duke kaluar mbi çdo mëri personale dhe duke grumbulluar çdo grusht votash në anën e tij. Sidomos në prag të zgjedhjeve. Ka qenë e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet në kushtet kur kundërshtari ka pasur historikisht një elektorat më të madh. Kjo duhet të jetë në vëmendjen e Lulzim Bashës.

“Një pakicë e bashkuar fiton kundër një shumice të ndarë”,  ka qenë sllogani i padeklaruar i Berishës, çelësi i suksesit politik të tij.  Tashmë, këtë mësim të vyer poltik është koha për t’ia mësuar Bashës.

Krijimi i një partie politike nga Patozi, Topalli e të tjerët duhej të ishte një lajm i mirë për Bashën. Kundërshtarët kryesorë, ata të cilët kishin hije më të rëndë se vetë Basha në Partinë Demokratike të 2013-ës, përfundimisht janë jashtë PD-së, rreziku i tyre ndaj karriges së Bashës është zero. Ata nuk mund të dalin nga politika sepse kështu e vendos Basha, ata kanë të drejtë të vazhdojnë karrierat e tyre pavarësisht tij. Kjo është e drejtë elementare.

I takon Bashës që t’i përshëndesë e t’i afrojë, tashmë rreziku që buronte prej tyre ka kaluar. Ironikisht, me një sjellje të tillë afruese, këta kundërshtarë mund të jenë aleatët e nesërm të tij, mund të jenë votat e domosdoshme të një koalicioni anti-Rama.

Sjelljet e Astrit Patozit kanë qenë mjaft korrekte këto kohë. Ai ka qenë i vetmi që ka deklaruar futjen në zgjedhje me sistemin e listave të hapura, sot i kishte bërë thirrje të gjitha Partive jashtë bllokut PD-PS-LSI të bashkohen në një koalicion të përbashkët. Ky është edhe veprmi i duhur në kushtet e një votimi rajonal, bashkimi i forcave për të maksimalizuar votën.

Kjo sjellje e tillë konfliktuale, plot konspiracion e mllef, mundet që t’i bëjë shumë nder këtyre partive dhe shumë dëm Partisë Demokratike.  Lulzim Basha ka një aleat natyror më shumë te Jozefina e Patozi sesa te secila prej Partive tjera në çdo anë të spektrit politik.

Është koha për të maksimizuar votat, për të bashkuar qëndrimet. Fokusi duhet të jetë Rama, vetëm ai.

Të gjithë tjerët janë aleatë të mundshëm.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>