Ndërsa çështja Tahiri—Habilaj kishte shpërthyer në mediat shqiptare, Ambasada amerikane postoi një video në faqen e saj zyrtare në Facebook, në të cilën “Ambasadori Lu dhe anëtarë të stafit të ambasadës amerikane përpiqen të gjejnë ushqimet tradicionale shqiptare” me sytë e mbuluar me flamurin amerikan.
Nuk ka, ndoshta, metaforë tjetër që mund të jetë më e përshtatshme për qëndrimin aktual të ambasadorit amerikan, dhe të zyrtarëve të tjerë të huaj të përfshirë në reformën në drejtësi, se ajo e njeriut që ka mbuluar sytë me flamurin e vendit të tij, duke ngulur pirunin në një gjellë shqiptare, duke mos patur ide nëse ajo do ta kënaqë apo pështirosë.
Sepse ajo çfarë është shërbyer aktualisht me përgjimet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri duhet të ketë lënë shije shumë të hidhur tek të gjithë luftëtarët e huaj të drejtësisë shqiptare.
Ambasadori Lu nuk është nga ata që është ndrojtur apo ka heshtur për kriminelët e rrezikshëm që bredhin të lirë dhe gjyqtarët e korruptuar të sistemit gjyqësor.
Më 14 dhjetor 2015, gjatë një konference me gjyqtarë, Ambasadori deklaroi, fjalët tashmë të famshme, se çdo gjyqtar që mban në dorë një orë më të shtrenjtë se makina e tij është i korruptuar.
Më 9 dhjetor 2016, Ambasadori Lu i quajti “të korruptuar” gjyqtarët të cilët liruan kriminelin Lulzim Berisha.
Dhe më 2 tetor 2017, në një fjalim në Shkollën e Magjistraturës, Ambasadori Lu akuzoi sistemin gjyqësor shqiptar për paaftësi, duke përmendur me emra disa nga kriminelët e njohur shqiptarë:
“Janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit. Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë. Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg.”
Por, tani është e qartë se jo vetëm sistemi gjyqësor shqiptar është i korruptuar, por edhe që krimi i organizuar ka patur akses të plotë në nivelet më të larta të qeverisë dhe të policisë, direkt me ish-ministrin e Brendshëm, i cili ka përfituar nga aktiviteti i trafikut të drogës së kushurinjve të tij, sipas përgjimeve, të paktën disa milionë euro në muaj.
Tani, për çudi të tërëve, duket se milionat e taksapaguesve amerikanë të hedhura në programin e OPDAT-it për të ndihmuar policinë dhe prokurorinë shqiptare të luftojë në mënyrë efektive trafikimin dhe kultivimin e drogës dhe krimin e organizuar, ishin hedhur në projektin e reformës në drejtësi të drejtuar nga një ministër, i cili për katër vite ishte, të paktën, në listën e pagave të një organizate kriminale shqiptaro-italiane.
Pra, çfarë duhet të bëjë Ambasadori Lu?
Të përmendë edhe një herë gjyqtarët e korruptuar dhe prokurorët, të cilët dështuan të arrestojnë vëllezërit Habilaj dhe Saimir Tahirin për gjithë këto vite, duke i lënë atyre rrugë të lirë në zyrat e qeverisë?
Apo më në fund ai do të përmendë njeriun me të cilin doli në podium në vitin 2015 për të deklaruar sukseset e mëdha kundër drogës?
Ndoshta është më mirë që më parë të marrë edhe një lugë tjetër nga ajo pjata me imam bajalldi dhe pastaj të lutet që ajo të jetë vërtetë ashtu siç e ka emrin.