Pse palët po e shtyjnë seancën plenare? – Exit Shpjegon

Pse palët po e shtyjnë seancën plenare? – Exit Shpjegon

Sikurse e kemi shpjeguar këtu në seancën e sotme plenare nuk mund të ketë propozime apo ndryshime të paraqitura nga deputetët. Kuvendi në seancë plenare mund të shqyrtojë vetëm draftin e plotë që i paraqitet nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi. Në seancë plenare thjesht votohet me “po” ose “jo”: fillimisht votohet në parim drafti i reformës, pastaj votohen çdo nen një nga një, dhe në fund i gjithë drafti në tërësi.

Kjo do të thotë se nëse seanca fillon, ajo mund të shqyrtojë vetëm draftin e fundit të miratuar nga Komisioni i Reformës i cili nuk ka të përditësuara as propozimet e Ndihmës Sekretares së Shtetit Nuland dhe as të Komisionerit të BE-së Hahn.

Në fakt, duket se Zoti Xhafaj ka përditësuar jashtë mbledhjes formale të Komisionit, pra në mënyrë të paligjshme, një draft me propozimet e Zonjës Nuland, sipas interpretimit të tij, dhe e ka paraqitur atë sot në Kuvend zyrtarisht.

Për propozimet e Zotit Hahn, Kryetari i Komisionit të Reformës, deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit se ka vetëm një letër të Zotit Hahn, por jo një propozim të tij dhe ai nuk mund të negociojë mbi një copë letër.

Zoti Xhafaj nuk pranoi dje të mbledhë Komisionin e Reformës, pasi u kuptua se kishte mospërputhje në interpretimin e propozimeve të Zonjës Nuland dhe Zotit Hahn.

Edhe pse anëtarët demokratë dhe të LSI-së kanë pritur në sallën e mbledhjeve të Komisionit me orë të tëra për anëtarët socialistë, Zoti Xhafaj ka refuzuar të zhvillojë mbledhjen.

Pyetjes së sotme të Kryetarit te Kuvendit Meta pse nuk e mblodhi Komisionin Zoti Xhafaj i është përgjigjur se “nuk marr urdhra nga ty.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>