Pse rasti Ndue Tarazhi i dhunës së fëmijëve në futboll nuk është i izoluar

Nga Erblin Vukaj
Pse rasti Ndue Tarazhi i dhunës së fëmijëve në futboll nuk është i izoluar

Profili i nderuar i një profesori në Laç u shkërmoq në mesjavë nga një video që qarkulloi në rrjet. Videoja tregonte dhunën që ushtronte profesori ndaj fëmijëve të skuadrës U-17 të Laçit. Për rrjedhojë Ndue Tarazhi, 77-vjeç, u procedua penalisht.

Në rastin e filmuar, Tarazhi shfaqej duke dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht të paktën 5 fëmijë të skuadrës. Videoja ishte regjistruar në vitin 2016. Tarazhi aktualisht nuk punon më për Klubin e Futbollit Laçi.

Djemtë shfaqeshin të traumatizuar. Pësonin shuplaka dhe ofendime nga profesori vetëm pse kishin humbur 2-0. Në dhunë e sipër Tarazhi thoshte:

“Pisa! Palaço! Zagarë! A ju thashë të hyni (në fushë) me mentalitet fitues?! […] Si ore jua bënë golat […] S’keni fjetur gjithë natës ju pisa, rrini nëpër televizora […] S’ju vjen turp, s’ju vjen! T’ju rrahin ata, ai ekip las#@ash!”

Rasti konfirmoi perceptimin e kahershëm se dhuna në futbollin profesionist shqiptar vjen si pasojë e edukimit të gabuar në skuadrat e moshave. Për këtë përgjegjësia kryesore është e trajnerëve që aplikojnë metodat e Ndue Tarazhit.

Në një dalje për mediat, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit tha se “këto janë forma të vjetra spartane” dhe “nuk është kjo mënyra e duhur për të drejtuar fëmijët”. Thënë këtë, çështja për FSHF u mbyll ku në të vërtetë duhej ngritur shqetësimi.

Askush nuk u ngriti pyetje pse rasti po kapej vetëm 3 vite më vonë. A është dhuna fenomen në skuadrat e moshave, a kanë mekanizma parandaluese klubet, Federata.

Klubi i Laçit nuk e dënoi dhe as u distancua nga veprimet e ish-trajnerit të saj. Në rrjetet sociale profile jo-zyrtare të klubit, i dolën në mbrojtje profesorit duke i  konsideruar “shuplaka edukuese” goditjet që ai u jepte fëmijëve. 77-vjeçari theksohej se ishte i nderuar në qytet për kontributin në sport.

Në fakt Tarazhi, me karrierë 50 vjeçare si trajner, konsiderohet ndër rastet e rralla që ka mundur të nxjerrë tre ekipe të ndryshme në kategoritë e para, në futboll, volejboll dhe basketboll. Por asgjë nuk e justifikon dhunën, aq më shumë karriera e tij.

“Nëse do ta kisha bërë unë një gjë të tillë këtu në Nashville do të më kishin dënuar me burgim të përjetshëm” thotë për Exit.al duke qeshur Mirgen Bushati, 30-vjeç, ish-futbollist, aktualisht trajner i moshave U-10 dhe U-15 në Nashville United Soccer Academy të Shteteve të Bashkuara. Sipas Bushatit rasti ishte tronditës, por prej faktit se shoqëria shqiptare nuk është emancipuar mjaftueshëm, nuk e percepton njësoj dhunën si shoqëritë perëndimore.

Bushati tregoi se në Shqipëri kishte parë raste të tjera të ngjashme të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve. Ai tha se situata të tilla janë parë shpesh edhe në kompleksin sportiv në Kamëz ku luhen ndeshjet e skuadrave të moshave.

“(Tarazhi) Dukej i fiksuar pas rezultatit, që është koncept i gabuar i edukatës sportive për fëmijët. Me skuadrat e moshave punohet më shumë për edukimin e përgjithshëm tekniko-taktik se sa për rezultatin. Jo të gjithë (fëmijët) bëhen profesionistë prandaj i vihet fokus kulturës që përcillet me synim edhe formimin me vlera qytetare” – thotë për Exit.al Endri Ohri, 29-vjeç, ish-futbollist, trajner i skuadrave U-13 dhe U-17 në Football Republic në Tiranë.

“Problemi i klubeve në Shqipëri është mungesa e stafeve të plota. Nuk ka psikologë apo punonjës socialë në organika” – thotë për Exit.al Albion Miraka, 29-vjeç, trajner moshave U-11 në Elbasan.

Edhe Bushati në SHBA e thekson një gjë të tillë. Ai thotë se në perëndim i kushtohet vëmendje e veçantë luftës kundër bullizmit, dhunës apo dhe ngacmimeve seksuale. Një punonjës social apo psikolog ndihmon në pikasjen dhe parandalimin e këtyre fenomeneve.

Kjo shpjegon se përse në rastin e Ndue Tarazhit procedimi ndaj tij ndodhi 3 vite më vonë. Pasi e kishte mbyllur karrierën si trajner. Nuk ka staf të plotë dhe të përgjegjshëm për edukimin e fëmijëve. Për t’u theksuar është se dhuna e Tarazhit ndodh në sytë e asistentit të tij, i cili nuk e ndalon.

Duke parë se nga FSHF nuk ka ndërgjegjësim. Se klubet nuk kanë stafe të plota, nuk dënojnë dhunën ndaj fëmijëve dhe nuk promovojnë sa duhet vlera edukative, zor se mund të themi se rasti i Tarazhit ishte i izoluar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>