Pse Steven Gerrard do ta largojë Eros Grezdën nga Rangers

Nga Erblin Vukaj
Pse Steven Gerrard do ta largojë Eros Grezdën nga Rangers

Drejtuesit e klubit të Rangers në Skoci kanë nisur diskutimet për të larguar Eros Grezdën nga skuadra. Football Insider raporton se Drejtori Sportiv Roos Wilson është udhëzuar nga trajneri Steven Gerrard që brenda janarit t’i gjejë sulmuesit të kombëtares shqiptare skuadër tjetër.

Në diskutim është një huazim drejt Francës, të cilin 24-vjeçari thuhet se mund ta pranojë pasi kërkon të rikthehet të luajë në nivele të larta pas 6 muajsh tejet të vështira.

Rangers, i drejtuar nga Steven Gerrard, po kalon sezon të mirë duke qenë në garë për titull. Pas 9 vitesh ata mundën Celtic-un në Celtic Park. Me ta kanë diferencë të ngushtë në kampionat, ndërsa në Europa League janë në 1/16 me Bragën.

Kjo nënkupton kalendar të ngjeshur me ndeshje. Gjë që kërkon shumë lojtarë dhe Gerrard po mendon të lirojë organikën nga ata që nuk aktivizon për t’i hapur vend atyre që mund të afrojë në merkato.

Po pse Gerrard nuk e aktivizon dhe do ta largojë Eros Grezdën, të cilin 18 muaj më parë e afroi nga Osijeku për 2 milionë euro?

Në fillim lëndimet e shpeshta nuk e favorizuan përshtatjen e 24-vjeçarit me skuadrën skoceze. Më pas marrëdhënia e tij me trajnerin Gerrard nuk ngjiti më.

Totali prej 17 ndeshjesh dhe 2 golash nuk i gargantuan mbrojtje nga kritikat apo nga problemet jashtë fushe.

Në prill 2019 futbollistit të kombëtares shqiptare iu hoq patenta. Në fund të sezonit të parë me Rangers, Grezda nuk pranoi të huazohej.

Në sezonin e dytë – dhe aktual – Gerrard e hoqi nga skuadra e parë duke e kaluar te rezervat. Në shtator 2019 u gjobit nga klubi pasi pështyu një kundërshtar. Në tetor humbi një penallti dhe u vu sërish nën kritika.

Në fillim të dhjetorit u raportua se ai ishte gjobitur me 400 paundë pasi lëvizte në Glasgow me makinë pa patentë dhe pa siguracione.

Eros Grezda cilësohet lojtar me talent dhe aftësi të shkëlqyera. Dy vite më parë në Kroaci ai tërhiqte vëmendje me gola dhe driblime të shpejta.

Pikërisht ato vite me Lokomotivën e Zagrebit dhe Osijekun bënë që Steven Gerrard ta pikaste dhe ta transferonte si lojtar kryesor në gusht 2018. Mirëpo gjërat nuk kanë shkuar mirë deri më sot. Grezda duket larg së qeni ai lojtar i dy viteve më parë dhe ka humbur edhe vendin në kombëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>