Pse u shkarkua anëtari i KPA, Daci në vitin 1997?

Nga Exit News
Pse u shkarkua anëtari i KPA, Daci në vitin 1997?

Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci është shkarkuar në vitin 1997 për shkak se ka mbajtur të fshehur një vendim në lidhje me një firmë piramidale për rreth 6 muaj si dhe ka organizuar një grevë në ambjentet e gjykatës së Tiranës.

Këto të dhëna rezultojnë nga procesverbali i mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i publikuar nga Balkan Web.

Në diskutimet në KLD, ministri i drejtësisë në atë kohë, Thimjo Kondi shprehet se :

“Luan Daci ka marrë një vendim gjyqësor, për ndërprerjen e veprimtarisë së fondacionit “Xhaferri”, më datë 30 prill 1996 dhe e ka mbajtur dosjen në sirtar deri më datë 2 tetor 1996. “Pavarësisht se ka apo s’ka vepër penale një gjyqtar nuk duhet të të mbajë të fshehur dokumentet për një çështje kaq të rëndësishme, siç është ajo që shpërtheu më vonë, që ish fondacioni Xhaferri ishte firmë piramidale. Dhe kjo konsiderohet një shkelje e rëndë, të paktën për disiplinën në punë”

Ndërkohë Daci e ka kaluar përgjegjësinë te sekretarja gjyqësore, duke theksuar se ai e kishte zbardhur vendimin në një kohë rekord.

Luan Daci u akuzua për një sërë shkeljesh të tjera flagrante të ligjit, siç ishte organizimi i një greve urie së bashku me krerët e PD-së së kohës, Genc Pollo, Azem Hajdari dhe Shamban Memia në ambientet e gjykatës duke penguar veprimtaritë gjyqësore.

Më 27 korrik, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) e akuzoi Dacin zyrtarisht për fallsifikim dokumentash.

Daci u kallëzua në SPAK nga  ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Ish-prokurori Cani akuzon Dacin se ka fshehur vendimin e KLD-së për largimin nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Gjatë intervistës në Komisionin Parlamentar ad hoc, Daci fshehu shkarkimin nga detyra duke pohuar se kishte ikur me dorëheqje.

Në përfundim të hetimeve, SPAK kërkoi pezullimin nga detyra të tij dhe akuzoi Dacin se ka fallsifikuar dokumentat.

Në 20 Maj, Gjykata e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pranojë kërkesën e SPAK për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Daci, ndërsa në 5 Qershor, Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi rikthimin në detyrë të tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>