Ish-komandatët e lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi të arrestuar më datat 4 dhe 5 nentor nga Gjykata speciale e Hagës akuzohen se:
Nga muaji marsi 1998 dhe shtator 1999 kanë kryer “arrestim dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, shkruhet në aktakuzën e publikuar më 5 nentor nga Gjykata e Hagës.
Këto krime u kryen “në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore”.
Ato u kryen nga “anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.
Viktimat ishin “shqiptarët që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”.
Gjithashtu, viktimat ishin edhe serbë, romë, ashkalinj, katolikë dhe civil “që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së, të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, bashkëpunëtor të autoriteteve serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë”.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë”, thuhet në dokumentin e publikuar të aktakuzës nga Gjykata e Hagës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup ndodhen në paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.