Rreth 100 punëtorë të një kompanie këpucësh, pranë autostradës Tiranë-Durrës, po refuzojnë të hyjnë në fabrikë dhe protestojnë pasi kanë dyshime se dy pronarët italianë të kompanisë janë të prekur nga koronavirusi.
Protesta e tyre është transmetuar drejtpërdrejt nga Fax News.
Punëtorët shprehen se pronarët kanë ushtruar presion mbi ta dhe i kanë detyruar të punojnë, pa u siguruar as masat minimale mbrojtëse, si maska e doreza.
Disa punëtorëve kanë hyrë në fabrikë dhe po punojnë pasi kanë frikë nga shkarkimi nga puna, por shumica vazhdojnë të protestojnë dhe kërkojnë që pushimet e paguara që i takojnë për gjithë vitin t’i marrin tani.
Një prej punëtorëve tregoi për FaxWeb se brenda fabrikës nuk respektohej asnjë masë sigurie si distanca nga njëri-tjetri, apo mbajtja e maskave dhe dorezave. Ai tha se nuk mund të shkojnë në shtëpi, pasi pronarët i kanë thënë që nuk do të paguhen dhe rrezikojnë të pushohen nga puna:
“Në fabrikë të gjithë pronarët janë të infektuar, përgjegjësit na thonë që të ikim në shtëpi, pa marrë lekët. As maska dhe as doreza mbrojtëse nuk na kanë dhënë. Nuk plotësohet asnjë kusht për distancën. Kemi frikën se do të na pushojnë, po jeta jonë është mbi të gjitha.
Çdo fundjavë italianët kanë hyrë dhe kanë dalë lirisht këtu, unë mora dorashka nga shtëpia dhe italiani më tha që ti hiqja se sipas tyre nuk kishte rrezik. Kjo nuk është lojë, italiani kaloi këtu dhe nuk na dha asnjë zgjidhje. Nuk është se nuk duam të punojmë, dje u kanë rënë dy punëtorëve të fikët dhe ne normal që kemi frikë. Ne kemi kërkuar që pushimet e Gushtit të na i zëvendësojnë tani.”
Qeveria deri tani nuk ka dhënë asnjë urdhër për mbylljen e fabrikave.
Për t’u informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:
– 9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)
– Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)
– Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet? (kliko këtu)
– Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)
– Të gjitha masat e qeverisë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit (kliko këtu)