Që opozita të mos përfundojë në farsë të vetvetes

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Që opozita të mos përfundojë në farsë të vetvetes

Ditët e fundit, duke filluar që në Kuvendin e saj Kombëtar, Partia Demokratike ka lëshuar një mori deklaratash ku bën thirrje për t’i dhënë fund regjimit Rama. Për shembull, kryetari demokrat, Lulzim Basha deklaroi:

“Do të udhëheqim protestat për largimin e së keqes. Rruga e vetme për tu përballur është rruga e angazhimit të të gjithëve, bashkimit të qytetarëve për t’i dhënë fund kësaj fasade. [Qeveria Rama] ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.”

Të hënën e shkuar, nga salla e Kuvendit, Zoti Basha deklaroi:

 “U asgjësua Gjykata Kushtetuese, mbrojtësja e vetme e Kushtetutës, u asgjësua prokuroria, tani i erdhi radha edhe asgjësimit të PS-së.”

Përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, Kryesia e re e sapozgjedhur njoftoi pak ditë më parë mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 16 shkurt. Ndërkohë, ajo do të paraprihet nga protesta më të vogla që do të nisin që më 4 shkurt. Me fjalë të tjera, do të ketë një mobilizim dhe aktivizim të madh të bazës së partisë.

Kjo do të thotë se “rrëzimi i regjimit” dhe “bashkimi i qytetarëve”— ​​fraza të cilat, fatkeqësisht, tingëllojnë boshe – duhet të shoqërohen, për shkak të rrethanave ku jemi, me propozime politikash të vërteta dhe me përmbajtje në vend të mënyrës së të menduarit se vetingu në politikë është ilaçi që shëron çdo gjë.

Sepse kjo lloj mënyre të menduari çon në të njejtin gabim që bëri qeveria dhe BE-ja, të cilët në mënyrë naive menduan se zgjidhja burokratike e reformës në drejtësi do të vendoste shtetin e së drejtës. Për të njëjtën arsye, edhe vetingu në politikë nuk do të sjellë me magji mirëqeverisjen e vendit.

Protestat e studentëve i kanë dhënë opozitës, në të vërtetë, një mundësi të artë për të hartuar një politikë të shëndetshme dhe të mirë: një ligj të ri për Arsimin e Lartë.

Sikurse e tregoi tashmë edhe lëvizja studentore, e vërteta është, siç u shprehën vetë studentët: “ne nuk jemi politikanë; mos prisni që ne të kemi ekspertizën dhe njohuritë e nevojshme për të rishkruar ligjin e arsimit të lartë”. Kjo është detyra e politikanëve, përmes këshillimit demokratik me ne, qytetarët. Kështu, propozimi i një ligji të ri për arsimin e lartë që përfshin kërkesat e studentëve — në vend të VKM-ve të çastit të Kryeministrit — me gjasa do ta zgjeronte simpatinë dhe mbështetjen e PD-së mes njerëzve.

Dhe, sikurse me arsimin e lartë, kështu me radhë në të gjitha fushat e tjera të politikave publike. Anëtarët e Kuvendit janë të veshur me pushtet legjislativ, ndaj ata duhet ta përdorin këtë pushtet që të paktën të shohim një herë një program zgjedhor të arsyeshëm, të zbatueshëm, krijues dhe me vizion.

Kam frikë se i vetmi shpëtim për opozitën, tashmë është pikërisht kjo gjë, hartimi i i propozimeve të tilla të prekshme, sepse vetëm protestat, rezistenca dhe mohimi nuk janë në gjendje të mbajnë gjallë një lëvizje.

Të rrëzosh një regjim nuk është e njejta gjë si të ndërtosh një mirëqeverisje. Në të vërtetë, ajo çfarë vërtet mbush me energji është krijimi dhe jo shkatërrimi. Dhe kundër shkatërrimit të jashtëzakonshëm të shkaktuar nga kjo qeveri, vërtet zgjidhja do të vijë nga përsëritja e të njejtës gjë?

Siç e kam vënë në pah disa herë, bukuria dhe fuqia e protestës së studentëve nuk qëndron tek thirrjet e tyre (të vonuara) për të anuluar Ligjin e Arsimit të Lartë: ishte në simbolet, formën e protestës dhe diskutimeve, Kushtetutën e tyre spontane, vetë-organizmin e takimeve dhe klasave pa asnjë udhëheqës të paracaktuar. Shkurt: ishte në shpikjet dhe aktet e tyre krijuese.

Do të ishte fatkeqësi nëse opozita, përkundër kësaj, do të rikthehej tek reflekset e veta të vjetra. Sepse ekzaktësisht dy vjet pas protestës së madhe të opozitës (njësoj, në një vit zgjedhor) rrezikojmë të biem pre e të njëjtit model: pesë muaj përpara zgjedhjeve, opozita del në rrugë për të rrëzuar regjimin, duke ofruar të njëjtën “zgjidhje” si dy vjet më parë: “qeverinë kalimtare”.

Ata do të bënin mirë t’i rikujtonin vetes shprehjen e famshme: “në fillim si tragjedi, pastaj si farsë”. Protestat e vitit 2017 përfunduan me të vërtetë në tragjedi: me marrëveshjen Rama-Basha dhe një shumicë absolute parlamentare për Partinë Socialiste.

Farsa e vitit 2019, mund të imagjinohet lehtësisht: disa javë protesta, pas të cilave opozita do masakrohet nga makineria masive e parasë që PS ka ngritur gjashtë vitet e fundit, duke shtënë në dorë pozitat kyçe politike e ekonomike dhe përmes bashkëpunimit me krimin në të gjithë vendin.

Kjo makineri nuk mund të luftohet pa ide dhe pa ideale. Nuk mund të vijë pa një program dhe propozime politike. Sigurisht, opozita ka të drejtë ta bojkotojë Kuvendin, por ajo nuk duhet kurrë të bojkotojë veten. Dhe kur të zaptojë rrugët, nuk duhet ta bëjë këtë sepse ka mbetur pa ide, por sepse ka shumë ide.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>