
Katër pacientë me Covid-19 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e viktimave në vend që prej fillimit të pandemisë në 193.
Ata janë një 76 vjeçare nga Shkodra, dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar; një 75 vjeçar dhe një 76 vjeçar.
Numri i viktimave, ashtu si dhe numri i të infektuarve ditorë nisi të rritej ndjeshëm pak ditë pas hapjes së vendit, në fillim të qershorit.
Që prej fillimit të pandemisë në mars, 193 pacientë kanë humbur jetën në vend:
- 33 viktima kanë humbur jetën nga 9 marsi deri në 1 qershori, në pothuaj 11 javë, kur rihapja e vendit sapo kishte filluar. Mesatarisht 3 viktima në javë humbën jetën në këtë periudhë.
- 160 viktima, ose pothuaj sa 5-fishi, kanë humbur jetën nga 1 qershori deri në 8 gusht, në pothuaj në 11 javë. Mesatarisht 15 viktima në javë humbën jetën në këtë periudhë.
Shtimi i viktimave është shoqëruar dhe me shtimin e pacientëve të shtruar në spital dhe numrin e të infektuarve ditorë.
Deri në 8 gusht, në dy spitalet Covid janë të shtruar 116 pacientë, ndër to 18 janë në terapi intensive dhe 4 janë të intubuar.