Në ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar, por sidomos në vijim në postimet në Twitter / Facebook, si edhe në deklarata publike të zyrtarëve të Qeverisë dhe Bashkisë dhe jo vetëm, kam vërejtur një përpjekje të qartë për ta thjeshtuar dhe minimizuar të gjithë këtë përpjekje (struggle në anglisht, por nuk e gjej dot fjalën në shqip që të përshkruaj një gjendje mes luftës dhe përpjekjes) në një narrativë dikotomike.
Nga njëra anë, kinse kemi ata që janë pro emancipimit dhe zhvillimit të qytetit. Kjo shprehet përmes ndërtimit të një teatri të ri, modern, sipas gjitha gjasave shumë të shtrenjtë. Për këtë vetë Kryeministri parashtroi një seri imazhesh krahasuese të disa projekteve të Tiranës me gjasë të kundërshtuara më kot sepse në fakt i shërbenin zhvillimit. Ndërkohë Kryetari i Bashkisë së Tiranës e krahasoi kundështimin për shembjen e teatrit, me kundërshtimin e ndërtimit të Kullës Eiffel në Paris në shekullin e XIX.
Sipas kësaj narrative, në anën tjetër gjenden ata që janë kundër empancipimit dhe zhvillimit të qytetit, pra të gjithë ata që kundërshtonin shembjen e teatrit dhe që vazhdojnë të protestojnë. Kjo shprehet përmes qëndrimeve të tilla si: ju po mbroni një godinë të amortizuar, të ndërtuar me materiale jo të mira, që mezi qendronte në këmbë; Pse nuk qenka demokratike prishja e një godine? etj.
Këto e relativizojnë vlerën e ngrehinës së Teatrit Kombëtar (apo tani duhet t’i referohemi si ish-Teatri Kombëtar?!) dhe simbolikën e qëndresës disa vjeçare për mbrojtjen e tij. Asnjëherë Teatri Kombëtar nuk ka qenë “thjesht një godinë”. Tanimë, përpjekja nuk ka të bëj më me ngrehinën, por me simbolin rreth saj: qendresën për të luftuar abuzimin dhe arbitraritetin e pushtetit dhe për një qeverisje demokratike reale, jo fasadë.
Kjo narrativë pro dhe kundra zhvillimit të qytetit dhe relativizimi i qendresës si çështje thjesht godine, janë problematike pasi është krijuar një narrativë artificiale që pengon debatin e mirëfilltë lidhur me të gjitha çështjet serioze dhe të rëndësishme rreth shembjes së teatrit. Të tjerë kanë shkruar me detaje dhe pa dashur të përsëris, por duke theksuar se disa nga këto çështje janë: arbitrariteti i pushtetit; mungesa e dialogut vendimarrës – shoqëri civile / artistë; mungesa e respektimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës duke mos pritur të shprehen institucionet përkatëse; mungesë e demokracisë vendore përmes shpërfilljes totale të zërit qytetar; mungesa e transparencës, urgjenca e shembjes në kushte pandemia e gjendje të jashtëzakonshme e të tjera.
Natyrisht që diskutimi për teatrin si formë arti dhe për godinën si trashëgimi kulturore e historike ka shumë rëndësi ashtu sikurse ka edhe për ndërtimin e një apo më shumë teatrove të rinj për qytetin apo arenave sportive apo galerive kulturore apo qendrave rinore, apo të inovacionit etj. (ky qytet ka nevojë për shumë!). Krahas tyre personalisht më shqetëson pamasë për të ardhmen çështjet e sipër përmendura që cënojnë demokracinë në vend.
Duhet t’i kundërvihemi narrativës se ndarja lidhur me shembjen e teatrit qenka pro dhe kundra zhvillimit të qytetit, sepse është e stisur dhe nuk reflekton shqetësimin e vërtetë të qyetarëve sot. Guxoj e them me bindje se askush nuk është kundër zhvillimit të qytetit, por ama duhet të ketë dialog se çfarë kuptojmë me zhvillim të qytetit. Ndaj, nuk mund të na imponohet ‘një drejtim i caktuar i zhvillimit të qytetit’ – Me aq sa shoh si qytetare e Tiranës, zhvillimi i qytetit mesa duket qenkërka ndërtim në çdo cep të mundshëm, çdo hapësirë sado pak e gjelbër rreth e rrotull, sot e shoh në betonizim e sipër. Si duhet të zhvillohet qyteti nuk mund të imponohet sidomos në kushtet e një qeverisje vendore të dalë nga zgjedhje monopartiake apo të një krize të thellë politike ku mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe balances nuk funksionojnë. Nësë vazhdojmë kështu rrezikojmë të ndërtojmë një koncept të ‘zhvillimit të qytetit’ sot që nesër do të barazohet me abuzimin dhe arbitraritetin.