Në përgjigje të disa kërkesave për informacion nga Exit, Kryeministria ka treguar strukturën organizative të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje (ADB), e cila ka misionin e mëposhtëm:
“sigurimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve publike, për të garantuar bashkëqeverisje gjithpërfshirëse në politikë dhe vendimmarrje, nëpërmjet ndërveprimit në platformën elektronike “Me ju, për Shqipërinë që ne duam” të qytetarëve, OJQ-ve dhe ndërmarrjeve private me administratën shtetërore dhe institucionet qeverisëse, si një si mbështetje e projekteve dhe programeve për një shoqëri të hapur dhe për institucionet më afër qytetarëve, shoqërisë civile, të rinjve dhe aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme si inovacioni, kreativiteti, transparenca, arsimi, rinia, kulturë, dhe grupet vulnerabël.”
ADB është institucionalizimi i “platformës së bashkë-qeverisjes” të nisur nga kryeministri Edi Rama pas zgjedhjeve, përmes të cilë ai dëshiron t’i bëjë qytetarët “miq” të qeverisë. Siç kemi argumentuar më parë, jo vetëm që platforma e bashkëqeverisjes anashkalon të gjitha mënyrat e mandatuara me ligj në të cilat qytetarët mund të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë, por me anë të këtij mekanizmi gjithashtu kanalizohen të gjitha ankesat e qytetarëve për qeverinë drejtpërsëdrejti në Kryeministri, duke i dhënë Kryeministrit më shumë avantazh dhe pushtet mbi ministrat e tij.
Sipas organagramit të ADB, drejtoria e bashkë-qeverisjes, përgjegjëse për drejtimin e platformës, do të përbëhet nga një drejtor, 6 koordinatorë në Kryeministri dhe 18 koordinatorë nëpër ministri, duke i dhënë Kryeministrit një mjet mbikqyrjeje dhe kontrolli mbi ministritë që zakonisht duhet të kalojnë nëpër Këshillit të Ministrave, duke kufizuar kështu edhe më tej pavarësinë e ministrive.
Për më tepër, ADB do të inkorporojë plotësisht si një drejtori varësie Qendrën për Hapjen dhe Dialogun (COD), një projekt kotësie, filluar nga Rama në mandatin e tij të parë. Ky projekt ka dështuar në të gjitha qëllimet e tij, për të përmbushur premtimin për “dialog” ose “hapje”. Qeveria ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të shpalosë kostot e rindërtimit të katit më të ulët të Kryeministrit, ku ndodhet COD.
Vendimi i Këshillit të Ministrave që ka themeluar ADB gjithashtu ka miratuar heqjen e statusit të COD si institucion i pavarur. Interesante, organogrami i ri i COD nuk përfshin më bordin, i cili përbëhej nga disa bashkëpunëtorë artistikë të kryeministrit Rama. Në të njëjtën kohë, numri i punonjësve të Drejtorisë së re për Menaxhimin e COD-it zvogëlohet nga 15 në 12.
Në vend të bordit të COD, Kryeministri njoftoi një “Bord Këshillues” të ri për ADB-në, i përbërë nga “anëtarë të korpusit të diplomacisë të akredituar në Shqipëri”, “ekspertë, akademikë dhe profesorë të universiteteve prestigjioze shqiptare dhe të huaja” dhe ” përfaqësues të institucioneve të ngjashme publike ose private të vendeve të tjera. “