Rritja e kultivimit të kanabisit në Shqipëri po ndryshon rrugët e trafikimit të kanabisit në gjithë shtetet e Bashkimit Evropian. Ky është përfundimi i raportit për lëndët narkotike të Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike:
Raportet e kohëve të fundit tregojnë ndryshime në rrugët e trafikimit të kanabisit me rritjet e kultivimit dhe trafikimit të bimës dhe vajit të kanabisit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri. Ky ndryshim vjen kryesisht si pasojë e rritjes së kultivimit të kanabisit në këto shtete.
Në të njëjtën kohë në shtetet e BE-së është ulur sasia e kanabisit të sekuestruar si pasojë e disa nismave për të luftuar trafikimin e kanabisit që në vendet jashtë BE-së ku kultivohet, si për shembull Shqipëria.
Një raport që thekson rëndësinë e Shqipërisë në tregun evropian të kanabisit u publikua pak muaj më parë nga Europol.
Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, aktualisht drejtues i fushatës së PS-së në Tiranë, gjithmonë deklaronte se ai e kishte nën kontroll situatën e kanabisit, derisa pasardhësi i tij Fatmir Xhafaj zbuloi se segmente të Policisë së Shtetit ishin përfshirë në trafikun e drogës. Ministria po ashtu pranoi se një “raport” i famshëm në të cilin pretendohej se 99.8% e fushave të kanabisit ishin shkatërruar, në fakt ishte i rremë.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri, përfshirë ambasadoren Romana Vlahutin, vazhdimisht ka refuzuar të komentojë për problemin e kultivimit të drogës në Shqipëri dhe nuk i është përgjigjur as raportit të Europolit apo Raportit Evropian për Drogën.