Qendra Evropiane për Drogën: Shqipëria prodhuese e kanabisit, vend tranzit për kokainën e heroinën

Qendra Evropiane për Drogën: Shqipëria prodhuese e kanabisit, vend tranzit për kokainën e heroinën

Përveç kanabisit, që mbetet droga kryesore e kultivuar në Shqipëri, vendi është kthyer në një pikë kryesore tranziti për trafikimin e heroinës dhe kokainës. Ky është përfundimi kryesor i raportit të përvitshëm për Shqipërinë të Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike (EMCDDA).

Një vit më parë, raporti i 2016-tës i Qendrës Evropiane të Monitorimit të Lëndëve Narkotike, theksonte se rritja e kultivimit të kanabisit në Shqipëri po ndryshon rrugët e trafikimit të kanabisit në gjithë shtetet e Bashkimit Evropian.

Duket se në harkun kohor të një viti, Shqipëria ka rritur rolin e saj dhe në trafikimin e kokainës dhe heroinës.

Disa nga pikat kryesore të raportit të vitit 2017 janë:

Kanabisi i kultivuar në vend vijon të mbetet droga kryesore në tregun shqiptar të drogave. Shqipëria është gjithashtu vend tranzit i heroinës, e së fundmi dhe i kokainës.

Shqipëria është një vend ku prodhohet kanabis. Përfituesit kryesorë të kanabisit shqiptar janë vendet fqinjë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.

Duke qenë pjesë e daljes jugore të rrugës ballkanike, Shqipëria është vend tranzit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura për transportimin e heroinës janë Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë-Shqipëri.

Heroina transportohet anembanë Shqipërisë në kamionë, autobusë, makina,etj. Të dhënat në dispozicion tregojnë se Greqia dhe Italia janë vendet kryesore të destinacionit për heroinën e kaluar përmes Shqipërisë, por një sasi heroine ruhet dhe për konsumatorët vendas.

Kokaina (pluhur) arrin në Shqipëri në të vogla sasi, kryesisht nga korrierët ose dërgesat postare nga SHBA dhe vendet e Amerikës Jugore, të njohura tradicionalisht për të prodhimin e saj.

Në vitet e fundit, janë shtuar dhe rastet e transportimit të kokainës përmes kontejnerëve.

Një laborator që përpunonte estraktin dytësor të kokainës u zbulua nga policia dhe u shkatërrua në vitin 2015. Gjatë këtij operacioni u kapën 20 kilogramë kokainë pluhur, e destinuar për tu transportuar në Gjermani.

Shumica e kokainës e trafikuar  besohet të jetë për përdorim vendas, por kokaina shpërndahet nga Shqipëria edhe në vende të tjera, kryesisht në Greqi dhe Itali. Që nga viti 2010, si numri i rasteve ashtu dhe sasia e kapur, janë në trend rritës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>