Organizata ‘Qëndresa Qytetare’ do të takohet me stafin e presidentit Meta për t’i përcjellë atij shqetësimet e tyre për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.
Dy kërkesat kryesore të tyre janë: shtyrja e zgjedhjeve të 30 korrikut për drejtuesit e UT-së dhe rritja e peshës së votës së studentëve nga 10 për qind që është aktualisht në 30 për qind.
Studentët kanë kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, duke shpjeguar se ky proçes po shoqërohet me një sërë parregullsish ligjore, për të cilat ata i janë drejtuar edhe Gjykatës Administrative të Tiranës.
Takimi me presidentin vjen pasi ai është institucioni kushtetues që dekreton emërimin e rektorëve të rinj.
Qendresa Qytetare kërkon shtyrjen e zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve, të parashikuara për tu zhvilluar në 30 korrik.
Argumentet kryesore të tyre janë:
– Caktimi i datës së zgjedhjeve nga Ministrja e Arsimit Shahini është bërë në mungesë të konsultimit me Konferencën e Rektorëve.
– Fillimi i procesit zgjedhor në datë 30 Qershor dhe përfundimi i tij më 30 Korrik krijon një situatë të rëndë paligjshmërie në universitetet publike, pasi cdo universitet publik e ka të pamundur – pa shkelur rregulloren e zgjedhjeve – që të mbyllë procesin zgjedhor brenda afatit një mujor.
– Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 Korrik përjashton tre të pestat e studentëve nga e drejta ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet drejtuese të universiteteve publike.
– Shqipëria vazhdon të jetë zyrtarisht në gjendjen e epidemisë, e cila është shpallur në 11 mars 2020, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deri në një urdhër të dytë.