Qeveria anulon tenderin 19 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë

Nga Gerard Gega
Qeveria anulon tenderin 19 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë

Qeveria anuloi papritur tenderin 19 milionë euro të tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë, pasi kompania e skualifikuar Gjoka Kostruksion kishte tre muaj që ishte ankuar.

Kur Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) i dha të drejtë kompanisë së skualifikuar, Ministria e Infrastrukturës e anuloi fare tenderin me arsyetimin se qeveria “ka prioritet disa çështje emergjente”.

Mirëpo dokumente të publikuara në media tregojnë se gjatë garës me 6 oferta Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) e skualifikoi dy herë kompaninë Gjoka edhe pse ajo kishte ofertën më të ulët dhe la të vlefshme vetëm ofertën e kompanisë Sulova, e cila kishte ofertën më të lartë, rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria.

Projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë

Projekti 36.5 km është planifikuar që në vitin 2007. Ai do të shkurtojë distancën Tiranë-Sarandë në më pak se 3 orë udhëtim. Punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm. Tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar, tre të dytët (gjithsej 14.6 km) janë duke u ndërtuar, ndërsa ndërtimi i segmenteve 7 dhe 8 nuk ka nisur ende.

Kostoja për përfundimin e rrugës do të jetë 60 milionë euro.

Tenderi që u anulua së fundmi është ai i tunelit në qafën e Skërficës, pjesë e segmentit 7.

Tenderi për tunelin

Më 25 prill, ARRSH hapi tenderin 19 milionë euro (2,3 miliardë lekë) për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë. Në këtë tender u paraqitën 6 oferta:

  1. Gjoka Konstruksion-Cobail-JV Gr Albania 14,6 milionë euro (1,7 miliardë lekë)
  2. Pe-Vla-Ku 15,4 milionë euro (1,8 miliardë lekë)
  3. Fusha-Aydiner Inssat Anonim Sikerti-Gjeokonsult 16 milionë euro (1,9 miliardë lekë)
  4. Gener 2-Seedc Consulting-Infra Konsult 17 milionë euro (2 miliardë lekë)
  5. Alb Building-BeIs-F&S-C.E.C Group-Nord-Comat 18,8 milionë euro (2,295 miliardë lekë)
  6. IRCOP-Sulova-Vega-AE Engineering 18,9 milionë euro (2,299 miliardë lekë)

Më 17 qershor, ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues bashkimin e kompanive ku bënte pjesë Sulova. Ky grup kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro.

Oferta më e ulët e bashkimit të kompanive me Gjoka Konstruksion u skualifikua për (a) mungesë dokumentacioni, (b) mosrealizim në 70% të punimeve të një kontrate të mëparshme (segmenti 4 i rrugës Kardhiq-Delvinë), (c) detyrime në pagesat e kontributeve shoqërore, (d) mosplotësim të kushtit minimal për 130 punonjës.

Prej 30 prillit, Agjencia e Prokurimeve Publike nuk ka publikuar më asnjë informacion rreth tenderit në buletinin e prokurimeve, qoftë edhe për të shpjeguar më mirë arsyet e skualifikimit të ofertave të tjera.

Gjoka u ankua në KPP. Më 9 korrik komisioni vendosi në favor të saj, anuloi vendimin e ARRSH dhe i kërkoi të zbatonte vendimin e KPP brenda 10 ditëve.

Skualifikimi për herë të dytë i Gjokës dhe anulimi i tenderit

Prej 9 korrikut kur KPP vendosi në favor të kompanisë Gjoka, ARRSH nuk e zbatoi vendimin e saj edhe kur një muaj më vonë vendimi i KPP u zbardh në faqen e saj.

Dokumente të publikuara nga Balkanweb, tregojnë se ARRSH nisi të verifikojë punimet e mëparshme të kompanisë Gjoka, e cila për të plotësuar kushtin e përvojës kishte paraqitur si të përfunduara tunelet në një tjetër projekt të sajin, atë në Rrugën e Arbrit.

Por pas inspektimit në muajin gusht të kësaj rruge, ARRSH vërejti se tunelet nuk ishin përfunduar. Me argumentin se Gjoka kishte paraqitur “të dhëna të rreme”, ARRSH iu referua nenit 47 të ligjit për prokurimet dhe kërkoi skualifikimin për herë të dytë të kësaj kompanie.

Ky nen thotë: “Autoriteti kontraktor skualifikon çdo kandidat ose ofertues, që paraqet të dhëna të rreme, për qëllime kualifikimi, në çdo kohë, deri në fazën e shpalljes së kontratës fituese. Autoriteti kontraktor për çdo skualifikim raporton në Agjencinë e Prokurimit Publik për qëllimet e parashikuara në nenin 13 pika 3 të këtij ligji.”

Sipas dokumenteve të Balkanweb, ARRSH ka kërkuar nisjen e hetimeve administrative dhe përjashtimin e kompanisë Gjoka nga tenderat publike.

Në të njëjtën datë kur ARRSH i kërkoi hetim administrativ APP-së, Ministria e Infrastrukturës bëri me dije se kishte vendosur ta anulonte tenderin.

Nëse nuk do të anulohej, tenderi do t’i kalonte sërish bashkimit të kompanive me Sulovën, si e vetmja ofertë e mbetur e vlefshme.

Qëndrimi i Ministrisë së Infrastrukturës

Më 12 shtator Ministrja Belinda Balluku tha se e anuloi tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë “për projekte më emergjente”:

“Ministria ka të drejtë që t’i japë prioritet disa nga çështjeve emergjente që mund të ketë, dhe nuk ka lidhje ka fonde apo s’ka fonde. Këto janë prioritetet momentale që ka Ministria. Po flasim për shtyrje të procesit. Kjo shtyrje procesi vjen për shkak sepse ka një projekt tjetër i cili është më emergjent. Ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja. Kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar.”

Vendosja e “prioriteteve të tjera” do të thotë se 4,5 milionë eurot (560 milionë lekë), që ishin parashikuar për nisjen e punimeve të tunelit brenda këtij viti, do të përdoren diku tjetër.

Në mungesë të transparencës, është e paqartë se cilat janë çështjet emergjente, që detyruan qeverinë të anulojë tenderin, dhe se sa e justifikojnë ato anulimin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>