Karantina në Shtëpinë e Pushimit në Durrës është gati për të strehuar personat e prekur me koronavirus sipas nevojës.
Këtë e konfirmoi shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino e cila deklaroi:
“Karantina është gati. Është në Durrës, do transportuohen atje njerëzit sipas nevojës.”
Zonja Bino tha se Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar rrugën që ka ndjekur pacienti zero, djali 28-vjeçar i prekur nga koronavirusi, dhe ka kontaktuar me të afërmit dhe personat me të cilët ai ka pasur kontakt që prej 26 shkurtit:
“Kemi një rast të importuar, ky quhet pacienti zero, i cili ka hyrë në vendin tonë. E kemi të qartë rrugën që ka ndjekur dhe kontaktet që ka pasur. Kontakti më i ngushtë është i ati, edhe ai i infektuar. Vijojmë gjurmimin e kontakteve të dyta apo të treta të tij, që mund të jenë prekur.”
Deri tani 14 persona që kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar po testohen nëse janë prekur apo jo me koronavirus.
Ministria do të informojë menjëherë qytetarët për rezultatet e testimeve.
Qeveria mori sot disa masa si ndalimin e fluturimeve e mbylljen e shkollave për përballimin e krizës së koronavirusit.
Më tepër mund të lexoni këtu.