Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka akuzoi qeverinë se nuk ka paguar kontributin e saj për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar duke vënë në pikëpyetje përfundimin e punimeve.
Gjatë një interviste në OraNews, Zoti Duka sqaroi se qeveria nuk ka pranuar të rimbursojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të investimit që FSHF-ja ka bërë për stadiumin. Vlera e rimbursimit të TVSH-së që Federata kërkon arrin në rreth 2.5 milionë euro.
Zoti Duka u shpreh:
“Ne kemi planifikuar një buxhet dhe buxheti i financuar në stadiumin “Kombëtar” është vetëm buxhet i donatorëve të FSHF-së. Qeveria nuk ka asnjë kontribut financiar aty por të paktën sipas ekspertëve, rimbursimi i TVSH-së është një gjë që i takon të bëhet. Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve e ka refuzuar një gjë të tillë. Kjo na cënon vërtetë, pasi kaq ishte buxheti i planifikuar. Është një gjë që na takon dhe në fund të fundit e pengon përfundimin [e stadiumit].”
Në një tjetër intervistë, dhënë sot për ABC News, Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishaj tregon:
“Në shoqërinë KuqeZi kemi dy ortakë, është FSHF me 75 për qind dhe qeveria me 25 qind.Ne [FSHF] nuk i kemi kërkuar kontributin qeverisë, por i kemi kërkuar të rimbursohet TVSH”.
Zoti Dervishaj deklaroi se Federata do ta dërgojë çështjen në gjykatë:
“Ne do të kërkojmë zgjidhje ligjore. Le të vendosë gjykata nëse kemi ne të drejtë”.