Përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit nuk ishin dje të pranishëm në seancën gjyqësore të pronësisë së Kopshtit Botanik dhe për këtë Gjykata Administrative e Apelit vendosi të shtyjë çështjen për më 29 tetor.
Dhjetëra qytetarë, studentë dhe akademikë ishin të mërkurën jashtë mjediseve të Gjykatës Administrative në pritje të seancës që ishte caktuar për t’u zhvilluar.
Çështja e pronësisë së Kopshtit Botanik përfundoi në gjykatë pasi qeveria vendosi më 17 korrik t’ia marrë si pronë Universitetit të Tiranës (UT) dhe t’ia kalojë Bashkisë Tiranë.
Ky vendim është kundërshtuar nga UT dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) me argumentin kryesor se “VKM-ja bie në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë” dhe se “cënon autonominë e univesitetit”.
Kryetari i Bashkisë Tiranë ka këmbëngulur se marrja në pronësi e Kopshtit Botanik nuk ka si qëllim tjetërsimin e zonës, por mirëmenaxhimin e saj. Mirëpo qytetarët dhe akademikët nuk i besojnë deklaratave të kryebashkiakut Veliaj duke qenë se zona në fjalë është e vetmja e mbetur gjelbër dhe pa u ndërtuar pallate – në Kodrën e Diellit dhe Selitë të Vjetër janë ngritur disa nga komplekset dhe pallatet më të shtrenjta të kryeqytetit.
Të mërkurën, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj sulmoi angazhimin e qytetarëve dhe akademikëve të FSHN duke i cilësuar “të nxitur nga opozita”. Ai e ngarkoi çështjen politikisht duke thënë se “PD me Unazën e Re ka asfaltuar një pjesë të kopshtit” se “profesorët e FSHN nuk kanë bërë asnjë punë shkencore” dhe se “kopshti është mbuluar nga ferrat dhe është kthyer në landfill plehrash në mes të Tiranës”.
Në të njëjtën mënyrë, nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku në emisionin Wake-Up të Top-Channel i ka konsideruar profesorët e FSHN “të keqinformuar ose të përdorur politikisht”.
Kopshti Botanik u krijua nga akademikët e FSHN në periudhën 1964-1971. Si një zonë me rreth 15 hektarë dhe mbi 2 mijë specie bimësh, ajo është konsideruar si zonë rekreative – i hapur për vizitorët nga ora 8:00-16:00 –, por mbi të gjitha studimore, pasi përdoret nga FSHN për kërkimet shkencore.