Brenda kësaj jave qeveria do të vendosë nëse do të rihapen shkollat dhe nëse do të kryhen apo jo provimet e matyrës.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tregoi të hënën se qeveria po mendon disa plane se si mund të vazhdohet me procesin mësimor.
Në një intervistë ajo u shpreh se ekspertët e shëndetësisë po mendojnë rikthimin në shkollë me klasa të veçanta (klasat e 9-ta dhe 12-ta), ose vazhdimin më tej me mësim në distancë, të cilin ajo e konsideroi se po kryhet “shumë më mirë nga ç’ishte pritur”.
Ministrja Shahini e pati shprehur edhe javën e shkuar faktin se qeveria është në pritje të opinionit të ekspertëve për të thënë se është apo jo e sigurt rinisja e mësimit.
Sërish ajo nuk dha një datë konkrete, ndërsa theksoi se datat e provimeve të maturës mbeten po ato të njoftuara më parë.
Datat e provimeve të maturës u caktuan në muajin dhjetor dhe ato janë: më 8 qershor gjuha e huaj, 11 qershor gjuha shqipe, 15 qershor matematika dhe 18 qershor provimet me zgjedhje.
Qeveria zgjati gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, gjë e cila duket se vë seriozisht në diskutim provimet e matures.
Nëse do të vendoset që shkollat të mbeten të mbyllura, Ministrja Shahini është shprehur se testet nuk do të mbahen.
Mësimi në shkolla u ndërpre më 10 mars dhe prej atëherë vazhdohet online me komunikime në rrjete sociale, me videokonferenca, ose me leksione të regjistruara të cilat transmetohen në televizionin publik.
Ministrja pohoi se rreth 7-9 mijë nxënës nuk kanë komunikim ditor me mësuesit për mungesë pajisjesh apo aksesi në internet, por ajo u shpreh se për maturantët, temat e trajtuara së fundmi nuk do të reflektohet në provimet e shtetit.