73 milionë euro për ndërtimin e 3 400 shtëpive të para të dëmruar nga tërmeti

Nga Exit News
73 milionë euro për ndërtimin e 3 400 shtëpive të para të dëmruar nga tërmeti Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Qeveria miratoi sot një fond prej €73 milionë (8,7 miliardë lekë) për rindërtimin e rreth 3 400 shtëpive të familjeve që mbetën pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit (kliko këtu për të lexuar vendimin).

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh se fondi do të ndahet, €55 milionë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) dhe €18 milionë Bashkisë Tiranë, të cilat javët e ardhshme pritet të hapin procedurat e prokurimit publik.

Me €55 milionë FSHZH parashikohet të ndërtojë 2 500 shtëpi, ndërsa Bashkia Tiranë 889 shtëpi.

FSHZH: 683 shtëpi 1+1; 972 shtëpi 1+2; 845 shtëpi 1+3

Bashkia Tiranë: 312 shtëpi 1+1; 334 shtëpi 2+1; 243 shtëpi 3+1

Sipas programit të rindërtimit, shtëpitë do të jenë me standarde të larta dhe me modele parafabrikate, të cilat do të mund ta përshpejtojnë punën. Në raportet e qeverisë thuhet se një shtëpi do të kërkojë rreth 30 ditë punë për t’u ndërtuar.

Tipologjitë e shtëpive që do të rindërtohen.

Në një prej prezantimeve të ecurisë së programit të rindërtimit, qeveria ka treguar se në 3 muajt e fundit janë dhënë mbi 2 mijë leje ndërtimi me procedura të përshpejtuara. Në këtë numër përfshihen lejet për merimetime, restaurime, por dhe ndërtime të reja.

Rreth 4 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria thotë se janë kryer 54 mijë inspektime ndërtesash, nga të cilat kanë rezultuar 9 500 ndërtesa të pabanueshme. Në këtë numër bëjnë pjesë 250 pallate dhe mbi 4 mijë shtëpi.

Por këto nuk janë ende të dhënat përfundimtare të vlerësimeve të thelluara. Këto vlerësime po vazhdohen të kryhen nga Instituti i Ndërtimit (IN) dhe studio të kontraktuara nga Bashkia Tiranë.

IN pritet të japë vlerësimet përfundimtare pas datës 30 mars, ndërsa Bashkia Tiranë pas datës 23 prill.

Ministri Ahmetaj siguroi se pasi të raportohen të dhënat përfundimtare do të hapet një prokurim i dytë. Më pas ai përsëriti premtimin e Kryeministrit se:

“4 mijë familje që do të banojnë në banesat e reja individuale sipas modeleve që kemi prezantuar, do ta festojnë vitin e ri 2021 në shtëpitë e tyre të reja.”

Pas tërmetit të 26 nëntorit 12 mijë familje janë shpërngulur nga shtëpitë dhe jetojnë me qira, ndërsa rreth 10 500 persona mbeten ende në çadra.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme