Qeveria shqiptare do të shpenzojë të tjera miliona euro në betejën ligjore kundër sipërmarrësit italian Francesco Becchetti në gjykatën e arbitrazhit.
Më 21 qershor, Avokatura e Shtetit ka hapur tenderin për një zyrë avokatie që të mbrojë Shqipërinë në të gjykatën e arbitrazhit ICSID pranë Bankës Botërore, i njëjti arbitrazh ku u shqyrtua dhe çështja e Becchettit, dhe të kërkojë anulimin e një vendimi.
Ky tender u hap vetëm pak ditë pasi pas publikimit të lajmit se Gjykata e e Arbitrazhit (ICSID) vendosi që Shqipëria duhet t’i paguajë 111 milionë euro dëmshpërblim Becchettit dhe ortakëve të tij për shpronësim të padrejtë të investimeve të tyre në një televizion privat.
Megjithëse në njoftim nuk jepen të dhëna specifike se për kë vendim bëhet fjalë, gjatë muajve të fundit, ICSID, në lidhje me Shqipërinë, ka dhënë vendim vetëm për çështjen me Becchettin. Kështu, duke patur parasysh dhe afatet e përcaktuara nga ligji, qeveria shqiptare mund të kërkojë anulim vetëm për këtë vendim.
Në njoftim nuk ka të dhëna për shumën që zyra e avokatisë mund të përfitojë.
Deri më tani, në këtë betejë kundër Becchettit, Shqipëria ka pasur si përfaqësuese ligjore, – që nuk arriti të fitojë kundër Becchettit, – firmën ndërkombëtare ligjore me qendër në Londër, Wragge Lawrence Graham & Co. Nga shtatori 2015 deri në nëntor 2016, qeveria shqiptare i ka paguar firmës Wragge Lawrence Graham & Co rreth katër milionë euro për mbrojtjen ndaj Becchettit, përmes vendime të posaçme të qeverisë:
– Më 22 shtator 2015, Këshilli i Ministrave (KM) vendosi pagesën prej 220 mijë dollarë për shpenzime administrative të arbitrazhit; pagesën prej 200 mijë eurosh për avokatët mbrojtës.
– Po më 22 shtator 2015, KM vendosi pagesën prej 39 050 000 lekësh (rreth 280 mijë euro) për avokatët mbrojtës për çështjen e impiantit të plehrave.
– Më 9 dhjetor 2015, KM vendosi një pagesë shtesë prej 1,95 milionë eurosh për avokatët mbrojtës të çështjes së hidrocentralit të Kalivaçit.
– Më 2 nëntor 2016, KM vendosi një tjetër pagesë shtesë prej 1,18 milionë eurosh dhe 125 mijë dollarësh për avokatët mbrojtës të çështjes së hidrocentralit të Kalivaçit.
Për të lexuar të plotë se si nisi konflikti mes sipërmarrësit BEcchetti dhe qeverisë Rama, klikoni këtu.