Qeveria e Presidentit Erdogan shkarkoi dje nga detyra kryetarët e tri bashkive dhe arrestoi 418 persona me akuzën se kanë lidhje me grupet e armatosura kurde.
Kryetarët e bashkive të qyteteve Dijarbakër, Mardin dhe Van janë të tre fitues të zgjedhjeve vendore të muajit mars nën siglën e partisë kurde të opozitës Partia Demokratike Popullore (HDP).
Ministria e Brendshme i akuzon ata për “përhapje të propagandës” dhe për “pjesëmarrje në organizata terroriste”.
Sipas medias, kryetarët akuzohen edhe se kanë mbështetur me të holla dhe me burime Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
PKK ka qenë në luftë të armatosur me shtetin turk gjatë 35 viteve të fundit. Presidenti Erdogan ka pretenduar vazhdimisht se HDP-ja është e lidhur me PKK-në, e cila njihet si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja.
Erdogani kishte paralajmëruar përpara zgjedhjeve se do t’i shkarkonte kryebashkiakët me lidhje me PKK-në.
Ministria e Brendshme ia kaloi drejtimin e bashkive prefektëve, të cilët i cakton qeveria.
Kryetari i Bashkisë së Dijarbakërit, Selçuk Mëzrakllë u shpreh se shkarkimi i tyre “shpërfill vullnetin e popullit”.
Ndërkohë që HDP-ja mohon të ketë lidhje me PKK-në, qindra anëtarë të saj dhe mbi 40 kryetarë bashkish janë të ndaluar në burgjet turke.
Qeveria e Erdoganit ka burgosur edhe vetë kryetarin e HDP-së, Selahatin Demirtash që nga nëntori 2016, me akuzën se shpërndante propagandën e grupeve terroriste. Prokurorët ngritën mbi 100 akuza kundër tij, dhe rreth një vit pas arrestimit,
Demirtashi u dënua me 4 vjet e 8 muaj burg. Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut kërkoi që Demirtashi të gjykohej në liri, por gjykatat turke e hodhën poshtë sugjerimin. Çështja kundër tij pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Deputeti i HDP-së Garo Pajllan i quajti shkarkimet e fundit të qeverisë “grusht i ndyrë shteti”. Ai tha se, nëse populli hesht, radhën do ta ketë Ankaraja dhe Stambolli, ku partia e Erdoganit humbi zgjedhjet vendore në muajin mars.
Sulmet e drejpërdrejta të Erdoganit ndaj opozitës nisën pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.
Megjithëse Presidenti Erdogan akuzoi Lëvizjen Gylen për grushtin e shtetit, dhe megjithëse ky nuk ishte drejtpërdrejt i lidhur me çështjen kurde, qeveria turke shkarkoi 95 nga 102 kryebashkiakët e konsideruar prokurdë.
HDP-ja i quajti shkarkimet dhe arrestimet e djeshme “një veprim qartësisht armiqësor” kundër kurdëve në Turqi, dhe u bëri thirrje për solidaritet të gjitha “forcave demokratike”.
Edhe Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamogllu, i cili i përket partisë më të madhe të opozitës – Partia Republikane Popullore (CHP) – u shpreh se “është e papranueshme të mos marrësh parasysh vullnetin e popullit”.
Kur Imamogluja fitoi në zgjedhjet vendore të marsit në Bashkinë e Stambollit, partia AKP e Presidentit Erdogan përdori të gjithë pushtetin e saj mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbi systemin e drejtësisë dhe arriti t’i përsërisë zgjedhjet. Imamoglluja fitoi me thellë kundër politikanit me të fuqishëm në AKP pas Erdoganit, ish-Kryeministrit dhe ish-Kryeatrit të Parlamentit Binali Jëlldërëm,
HDP-ja organizoi protesta në disa qytete dje, në të cilat policia arrestoi me dhjetëra vetë të tjerë.
Dy ndër ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Erdoganit, ish-ministri i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu dhe ish-Presidenti Abdullah Gyl e kritikuan shkarkimin e kryebashkiakëve kurdë. Gyli shkroi se kjo nuk ishte “një gjë e mirë për demokracinë” në vend, ndërsa Davutoglluja shkroi se “e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është themelore”.