Qeveria e Erdoganit shkarkon tre kryebashkiakë kurdë, arreston 418 vetë

Qeveria e Erdoganit shkarkon tre kryebashkiakë kurdë, arreston 418 vetë

Qeveria e Presidentit Erdogan shkarkoi dje nga detyra kryetarët e tri bashkive dhe arrestoi 418 persona me akuzën se kanë lidhje me grupet e armatosura kurde.

Kryetarët e bashkive të qyteteve Dijarbakër, Mardin dhe Van janë të tre fitues të zgjedhjeve vendore të muajit mars nën siglën e partisë kurde të opozitës Partia Demokratike Popullore (HDP).

Ministria e Brendshme i akuzon ata për “përhapje të propagandës” dhe për “pjesëmarrje në organizata terroriste”.

Sipas medias, kryetarët akuzohen edhe se kanë mbështetur me të holla dhe me burime Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

PKK ka qenë në luftë të armatosur me shtetin turk gjatë 35 viteve të fundit. Presidenti Erdogan ka pretenduar vazhdimisht se HDP-ja është e lidhur me PKK-në, e cila njihet si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja.

Erdogani kishte paralajmëruar përpara zgjedhjeve se do t’i shkarkonte kryebashkiakët me lidhje me PKK-në.

Ministria e Brendshme ia kaloi drejtimin e bashkive prefektëve, të cilët i cakton qeveria.

Kryetari i Bashkisë së Dijarbakërit, Selçuk Mëzrakllë u shpreh se shkarkimi i tyre “shpërfill vullnetin e popullit”.

Ndërkohë që HDP-ja mohon të ketë lidhje me PKK-në, qindra anëtarë të saj dhe mbi 40 kryetarë bashkish janë të ndaluar në burgjet turke.

Qeveria e Erdoganit ka burgosur edhe vetë kryetarin e HDP-së, Selahatin Demirtash që nga nëntori 2016, me akuzën se shpërndante propagandën e grupeve terroriste. Prokurorët ngritën mbi 100 akuza kundër tij, dhe rreth një vit pas arrestimit,

Demirtashi u dënua me 4 vjet e 8 muaj burg. Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut kërkoi që Demirtashi të gjykohej në liri, por gjykatat turke e hodhën poshtë sugjerimin. Çështja kundër tij pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Deputeti i HDP-së Garo Pajllan i quajti shkarkimet e fundit të qeverisë “grusht i ndyrë shteti”. Ai tha se, nëse populli hesht, radhën do ta ketë Ankaraja dhe Stambolli, ku partia e Erdoganit humbi zgjedhjet vendore në muajin mars.

Sulmet e drejpërdrejta të Erdoganit ndaj opozitës nisën pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Megjithëse Presidenti Erdogan akuzoi Lëvizjen Gylen për grushtin e shtetit, dhe megjithëse ky nuk ishte drejtpërdrejt i lidhur me çështjen kurde, qeveria turke shkarkoi 95 nga 102 kryebashkiakët e konsideruar prokurdë.

HDP-ja i quajti shkarkimet dhe arrestimet e djeshme “një veprim qartësisht armiqësor” kundër kurdëve në Turqi, dhe u bëri thirrje për solidaritet të gjitha “forcave demokratike”.

Edhe Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamogllu, i cili i përket partisë më të madhe të opozitës – Partia Republikane Popullore (CHP) – u shpreh se “është e papranueshme të mos marrësh parasysh vullnetin e popullit”.

Kur Imamogluja fitoi në zgjedhjet vendore të marsit në Bashkinë e Stambollit, partia AKP e Presidentit Erdogan përdori të gjithë pushtetin e saj mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbi systemin e drejtësisë dhe arriti t’i përsërisë zgjedhjet. Imamoglluja fitoi me thellë kundër politikanit me të fuqishëm në AKP pas Erdoganit, ish-Kryeministrit dhe ish-Kryeatrit të Parlamentit Binali Jëlldërëm,

HDP-ja organizoi protesta në disa qytete dje, në të cilat policia arrestoi me dhjetëra vetë të tjerë.

Dy ndër ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Erdoganit, ish-ministri i Punëve të Jashtme Ahmet Davutogllu dhe ish-Presidenti Abdullah Gyl e kritikuan shkarkimin e kryebashkiakëve kurdë. Gyli shkroi se kjo nuk ishte “një gjë e mirë për demokracinë” në vend, ndërsa Davutoglluja shkroi se “e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është themelore”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>