Qeveria e ka negociuar në tym koncesionin e Rinasit

Qeveria e ka negociuar në tym koncesionin e Rinasit

Qeveria shqiptare ka negociuar me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit pa pasur asnjë vlerësim të mundësive dhe nevojave të vendit për ndërtimin e aeroporteve të reja, veçanërisht në jug të vendit.

Në mbledhjen e javës së shkuar, Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin të autorizojë Ministrinë e Transportit dhe të Infrastrukturës për të kryer një tender për studimin e bëshmërisë (fizibilitetit) “për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit.”

Studimi i bëshmërisë është studimi bazë për të vlerësuar paraprakisht leverdinë ekonomike dhe mundësitë tekniko-financiare për të realizuar një investim. Një studim i tillë analizon gjithashtu alternativat e mundshme për një investim të caktuar.

Bërja e këtij studimi rreth 6 muaj pasi qeveria i bëri lëshime koncesionarit të Rinasit në këmbim të së drejtës për ndërtimin e aeroporteve të reja ndërkombëtare në jug të vendit, tregon se qeveria nuk ka patur asnjë bazë për të gjykuar leverdinë ekonomike dhe pasojat e kushteve që ajo ka negociuar me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit.

Në muajin prill të këtij vitit qeveria firmosi një kontratë të rishikuar koncesioni me koncesionarin TIA, dy kushtet kryesore të të cilit ishin:

  • Shtimi automatikisht me dy vjet i afatit të koncesionit, duke e bërë 22 vjet kohëzgjatjen, pra deri në në prill 2025. Në këmbim të këtij lëshimi qeveria mund të fillonte menjëherë operimin e Aeroportit të Kukësit.
  • Qeveria mund të autorizojë një aeroport të ri ndërkombëtar në një distancë të paktën 100 km larg Rinasit, që praktikisht do të thotë përtej qytetit të Vlorës. Për çdo vit të operimit të një aeroporti të tillë, afati i koncesionit të TIA-s do të shtyhet me gjysëm viti.

Exit argumentoi atëhere se ky ishte vendim skandaloz dhe pa asnjë leverdi për vendin. Në mënyrë të veçantë ne paralajmëruam se Aeroporti i Kukësit jo vetëm që kërkon investime të mëdha për t’u bërë operativ, por ai nuk paraqet interes tregtar.

Tashmë është e qartë se qeveria ka qenë krejtësisht e papërgatitur të zhvillojë negociata, pasi ajo nuk ka patur asnjë ide mbi mundësinë e ngritjes së aeroporteve të tjera në vend. Si pasojë, qeveria ka arritur një marrëveshje, e cila me shumë gjasa do të sjellë përfitime vetëm për koncesionarin dhe jo për ekonominë dhe qytetarët e vendit.

Bërja tani e këtij studimi hedh poshtë edhe pretendimin e Ministrit Haxhinasto në Kuvend se ka patur interes të madh për ndërtim aeroportesh në jug të vendit. Nëse do të kishte pasur interes të tillë, palët e interesuar do të kishin kryer studime të tilla bëshmërie dhe nuk do të kishte nevojë ta bënte qeveria për ta.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>