Qeveria e Kosovës njoftoi të martën përmes zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu, se nuk ka ende një datë për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Kjo varet nga parimet, tha ai.
Kryeziu tha se reciprociteti as nuk është nocion i ri për Vetëvendosjen e as për partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se është parim themelor dhe buron nga sovraniteti.
“Ne jemi të interesuar për trajtim të barabartë. Unë mendoj që askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar nga vendosja e reciprocitetit”, tha Kryeziu.
Zëdhënësi i qeverisë së re të udhëhequr nga Vetëvendosje, tha se për çështjen e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës “shumë shpejt do të bëhet publik dhe do të bëhet emërimi i drejtorit të ri”.
Qeveria e kaluar e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti i kishte hequr masat e reciprocitet me Serbinë.
Masat e reciprocitet që vendosi qeveria Kurti në 2020:
- Masa reciprociteti për të gjitha dokumentet dhe praktikat që prekin çështjet tregtare
- Masa reciprociteti për njohjen e të gjitha kualifikimeve profesionale (siç janë diplomat, certifikatat, licencat, lejet etj. të lëshuara nga autoritetet kosovare)
- Masa reciprociteti për targat e automjeteve (autobusë, kamionë, vetura etj.)
- Masa reciprociteti për lëvizjen e lirë të personave, përfshirë njohjen e dokumenteve të lëshuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina siç janë pasaportat, letërnjoftimet dhe patentë-shoferët