Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vlerësoi të martën se masat e reja kundër Covid-19 në vend, “janë më se të nevojshme”.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave Hekuran Muratin, ai njoftoi se spitalet e Kosovës janë të mbingarkuara me pacientë me COVID-19. Ai tha se situata është e rënduar, prandaj masat duhej të merreshin.
“Kemi mbi 900 pacientë të shtruar në spitale. Kemi personelin shëndetësorë që është i pakët në këtë situatë të krijuar dhe stërlodhur. Situata është shumë e rëndë sidomos në institucionet shëndetësore”, tha ai.
Vitia tha se varianti i ri britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse përhapet më shpejt.
“Masat janë më se të nevojshme për shkak se konsiderohet si mjeti më efektiv për mbrojtje nga COVID 19”, tha Vitia ai në konferencë.
Ai tha se qeveria i kupton shqetësimet e ngritua për mbylljen e ekonomisë.
“E kuptojmë kritikë se masat e deritanishme janë në dëm të ekonomisë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e sektorëve dhe bashkëndjejmë. Prandaj siç është paraparë, MF-ja ka përgatitur edhe masat që synojnë ruajtjen e shëndetit të ekonomisë”.
Masat e reja në Kosovë parashikojnë ndalimin e qarkullimit nga fasha orare 22:00 deri në 05:00, përveç rasteve urgjente.
Restorantet do të pezullojnë shërbimet direkte ndaj klientëve.
Ndalohet veprimtaria e qendrave tregtare të mbyllura dhe lejohen vetëm shërbimeve esenciale, si dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe universitar do të zhvillojnë të gjitha aktivitetet mësimore online.
Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona.
Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë nga vende me rrezik të lartë, duhet një test RT-PCR negativ për COVID-19 bërë në 72 orët e fundit ose vetizolim për shtatë ditë.