Qeveria e “Mbetjeve”: në dy vjet, ndërtohen 4 inceneratorë dhe 3 landfille

Qeveria e “Mbetjeve”: në dy vjet, ndërtohen 4 inceneratorë dhe 3 landfille

Prej të paktën dy vitesh Qeveria Rama është fokusuar dukshëm tek industria e grumbullimit dhe djegies së mbetjeve, me dhënien e lejeve për ndërtimin e disa inceneratorëve, hapjen e disa landfilleve dhe rikthimin në parlament të ligjit për importin e mbetjeve.

Landfillet

Rrogozhinë

Vetëm pak ditë më parë, banorët e Rrogozhinës protestuan kundër ndërtimit të një landfilli për grumbullimin e plehrave pranë fshatit Gosë. Por duket se protesta e qytetarëve ka pak gjasa të dëgjohet: Këshilli Bashkiak e ka miratuar tashmë vendimin për ndërtimin e landfillit. Në të do të mblidhen mbetjet e Rrogozhinës, Divjakës, Lushnjës e Kavajës. Ende nuk dihet nëse landfilli do të menaxhohet nëpërmjet kontratës së Partneritetit Publik Privat (PPP) apo nga vetë bashkia.

Sharrë

Landfilli i ri i Sharrës që nisi punën nën një kontratë PPP-je në vitin 2016, është një ndër më famëkeqët në vend.

Vrasja e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në gusht 2016,  nxorri në pah se ky vend depozitimi dhe riciklimi plehrash shfrytëzon punën e të miturve dhe ushtron skllavëri praktike, duke i lënë gati të gjithë punëtorët të pa siguruar, pa kontratë, dhe të pambrojtur në një vend plot mbetje toksike.

Landfilli menaxhohet nga kompania 3R” nën pronësinë e Edurim Teqes dhe përveç grumbullimit bën dhe ndarjen e mbetjeve të riciklueshme përpara se ato të shkojnë për asgjësim.

Durrës

Landfilli për qytetin e Durrësit është ngritur në Manzë, pak kilometra larg Durrësit. Koncesioni 30 vjeçar për ngritjen dhe menaxhimin e këtij landfilli i është dhënë në vitin 2015 firmës italiane “Kinexia” dhe firmes shqiptare “Albania Landfill Energia” (ALE shpk). Në këtë landfill parashikohet përpunimi i 1,9 milionë tonelata mbeturinash në vit.

Inceneratorët

Të paktën katër leje për ndërtimin e inceneratorëve (impiant djegieje) të mbetjeve janë dhënë vetëm gjatë vitit të fundit:

Tiranë

Në Tiranë, Landfilli dhe impianti i djegies së plehrave (incineratori) të Tiranës do të ndërtohet me koncesion nga kompania “Integrated Energy B.V”. Kompania, një kompani guackë e regjistrua në Hollandë në qershor 2016, nën pronësinë e Klodian Zotos, do të menaxhojë landfillin dhe impiantin për 30 vjet.

Fier

Në Fier, Këshilli Bashkiak miratoi ndërtimin e një impianti për përpunimit e mbetjeve në fshatin Mbrostar, pavarësisht protestave të banorëve. Kompania që do të menaxhojë për 6 vjet këtë impiant është “Integrated Technology Services”, po nën pronësinë e Klodian Zotos.

Elbasan

Në Elbasan, ndërtimi i inceneratorit nisi menjëherë pas miratimit të lejes nga Këshilli Bashkiak në vitin 2015. Ndërtimi i impiantit të djegjes së mbetjeve u aprovua me negociim, pa tender, me pretendimin se situata e plehrave në Elbasan është emergjente.

Kompania që mënaxhon impiantin prej vitit 2015 e do të vazhdojë deri në vitin 2022 është “AlbtekEnergy shpk”. Kjo kompani ishte krijuar vetëm pak muaj përpara se të fitonte kontratën.

Kapaciteti i incineratorit është për 120-140 tonë mbetje në ditë, kapacitet i mjaftueshëm për të djegur gjithë mbetjet e djegshme të qytetit të Elbasanit, madje dhe të qyteteve përreth.

Shijak

Pak muaj më parë, në Shijak është dhënë leja për ndërtimin dhe menaxhimin e një incerenatori për djegien e mbetjeve spitalore dhe të kafshëve të infektuara.

Vendimi, i marrë në mungesë të plotë transparence, ka shkaktuar pakënaqësi të shumta tek banorët e zonës, të cilët një javë më parë protestuan kundër ndërtimit të impiantit pranë zonave të banuara.

Kompania që ka fituar të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar inceneratorin e mbetjeve spitalore dhe atyre të kafshëve në Shijak është “Jamarbër Group shpk”.

Kompania është themeluar në mars të 2017-ës dhe nuk ka eksperienca të mëparshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Sipas relacionit jo-teknik për marrje leje për zhvillim aktivitetit, të hartuar në mars 2017 dhe të dorëzuar pranë Ministrisë së Mjedisit, kompania do të ndërtojë një qendër grumbullimi dhe djegie me një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë.

Delvina dhe Maliqi janë qytetet e tjera ku parashikohet të ndërtohen inceneratorë për djegjen e plehrave.

Lulëzimit të indrustrisë së djegies së mbetjeve i shtohet dhe ligji për importin e plehrave, që pritet të miratohet nga shumica socialiste në Kuvend përpara datës 13 tetor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>