Qeveria e SHBA miraton vazhdimin e ndihmës humanitare për njerëzit në Afganistan

Nga Exit News
Qeveria e SHBA miraton vazhdimin e ndihmës humanitare për njerëzit në Afganistan

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të lehtësojnë ndihmën humanitare në Afganistan, tha një zyrtar i Departamentit të Thesarit për Reuters, pasi talebanët, të cilët janë në listën e zezë nga Uashingtoni, morën kontrollin e vendit këtë muaj.

Departamenti i Thesarit ka autorizuar qeverinë amerikane dhe kontraktorët e saj të mbështesin ndihmën humanitare për njerëzit në Afganistan, përfshirë shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj talebanëve.

Kjo lëvizje vjen mes shqetësimeve se sanksionet e Uashingtonit ndaj talebanëve mund të shpejtojnë një krizë humanitare në vend, e cila mbështetet shumë në ndihmën e huaj.

“Kjo është ndihmë humanitare e synuar për të ndihmuar njerëzit e Afganistanit,” tha zyrtari, duke shtuar se ndihma nuk do t’i shkojë autoriteteve talebane.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 18 milionë njerëz, rreth gjysma e popullsisë së Afganistanit, kanë nevojë për ndihmë dhe se gjysma e të gjithë fëmijëve afganë nën moshën 5 vjeç tashmë vuajnë nga kequshqyerja.

Administrata e Presidentit Joe Biden ka thënë se është e angazhuar për të lejuar që puna humanitare në Afganistan të vazhdojë pavarësisht përcaktimit të talebanëve nga SHBA grup terrorist.

Sanksionet ngrijnë çdo pasuri amerikane të grupit militant islamik dhe i ndalojnë amerikanët të bëjnë marrëveshje me to, përfshi ndihmat financiare, të mallrave ose shërbimeve. Këto sanksione mbeten në fuqi, tha zyrtari.

Ndërsa sanksionet amerikane shpesh përfshijnë përjashtime për ndihmat humanitare, kritikët thonë se sanksionet e ashpra amerikane si ato ndaj Iranit dhe Venezuelës mund të pengojnë grupet humanitare të punojnë në një vend nga frika se mos bien ndesh me Uashingtonin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>