Pas fushatave të sukseshme nga kolegët e tij për mbledhjen e fondeve për kurimin e doktor Drini Dobit, qeveria shqiptare njoftoi se do ta mbështesë ajo financiarisht kurimin e neurologut të mirënjohur, i cili po lufton me koronavirusit në një spital të Italisë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Facebook,
“Qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta mbështesë financiarisht kurimim e doktor Drinit, deri në shërimin e tij të plotë.”, shkruan ajo.
Kolegë dhe gazetarë bënë thirrje për dhurim të hollash për mjekun neurolog, pasi Dobi u dërgua në Itali, pas rëndimit të shëndetit në spitalin publik, me të hollat që mblodhën disa miq të tij për transportin dhe ditët e para në spital.
Pas lajmit për gjendjen e tij të përkeqësuar dhe thirrjes së disa kolegëve dhe gazetarëve për kontribute, një grup mjekësh shqiptarë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Franca dhe Italia bënë thirrje të dielën për kontribute financiare duke hapur një llogari online për kontribute për kurimin e doktor Dobit.
Brenda një dite nga mbrëmja e së dielës, u dhuruan rreth 18.000 euro, një nisje shumë inkurajuese për arritjen e qëllimit të vënë prej 50.000 eurosh.
Drini Dobi është njëri ndër mjekët neurologë më të mirë në Shqipëri. Ai ka punuar për më tepër se dy dekada në QSUT dhe prej dy vitesh drejton Shërbimin Neurovaskular aty.