Qeveria franceze, masa të rrepta kundër emigracionit të paligjshëm

Qeveria franceze, masa të rrepta kundër emigracionit të paligjshëm

Qeveria franceze i ka propozuar presidentit Macron masa të reja, më të forta, kundër emigracionit të paligjshëm në vend.

Masat e reja, të cilat do të diskutohen në muajin prill përfshijnë kthimin e emigrantëve të paligjshëm brenda 90 ditëve, aplikimin për statusin e refugjatit brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në territorin e Francës dhe gjobë në vlerën tre mijë e 700 euro, ose dënim me burg deri në një vit, për të gjithë personat të cilët kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Qeveria franceze tha se më shumë se 100 mijë emigrantë kanë aplikuar për statusin e azilantit në 2017, 17 për qind më shumë se në vitin 2016. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Shqipëria, Afganistani, Haiti dhe Sudani. Rreth 36 për qind kanë fituar statusin e refugjatit.

Për masat e reja kundra emigracionit të paligjshëm, Ministri i Brendshëm francez Collombo tha se ato janë të përputhshmëri me procedurat evropiane.

Çështje e emigracionit shqiptar është të paktën prej dy vjetësh çështja kryesore në marrëdhëniet e Shqipërisë me Francën.

Për këtë çështje, në korrik 2017, u thirr urgjent në Francë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, edhe pse do ishte normale që të pritej qeveria e re para se të bëhej një vizitë e tillë. Nën trysninë franceze, gjatë kësaj vizite Bushati i paraqiti qeverisë franceze një plan shqiptar për të ndaluar emigracion e paligjshëm drejt Francës brenda një periudhe tre-mujore.

Sërish, në dhjetor të 2017, Ministri i Brendshëm i Francës Gerard Collomb, erdhi në Tiranë për një vizitë dy ditore, me qëllim ushtrimin e trysnisë ndaj qeverisë shqiptare për të kontrolluar gjendjen e rëndë të azilkërkuesve të paligjshëm të shqiptarëve në Francë.

Një nga çështjet që u diskutua me qeverinë shqiptare ishte vendosja e policëve franceze në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, me qëllim rritjen e kontrollit ndaj emigrantëve të mundshëm në Francë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>