Operacioni i kapjes së një organizate të dyshuar për trafikun e drogës me qendër në Shijak duket se është kryer me kërkesë dhe nën trysninë direkte të qeverisë gjermane. Të gjithë personat e arrestuar duket se janë pjesë e një organizate të drejtuar nga anëtarët e familjes Avdyli në Shijak, që kryente trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Duket se edhe ngarkesa prej 613 kilogramë kokainë e kapur nga policia në shkurt 2018, pasi kishte hyrë në Portin e Durrësit nga Kolumbia, me pritës Arbër Çekajn, ka qenë pjesë e aktivitetit të të njejtit grup.
Arben Çekaj u largua duke u fshehur në Gjermani ku u kap nga policia vendase, e cila refuzoi ekstradimin e tij për shkak të një hetimi në Gjermani. Burime të besueshme të prokurorisë pohuan për Exit.al se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane dhe ka nxjerrë detaje dhe emra të personave të përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës drejt Gjermanisë.
Pas këtij informacioni, qeveria gjermane ka ushtruar trysni ndaj qeverisë shqiptare për arrestimin e personave të këtij grupi kriminal—katër nga drejtuesit më të lartë të policisë, hetuesisë dhe qeverisë gjermane kryen vizita blic në Tiranë në fillim të tetorit për të detyruar qeverinë shqiptare të godiste një nga organizatat kryesore që realizonte trafikun e drogës nga Shqipëria në Gjermani.
Kjo trysni çoi në dy operacionet e fundit të policisë shqiptare për zbulimin dhe asgjesimin e laboratorit të heroinës në Has dhe goditjes së organizatës Avdyli në Shijak.
Për t’i dhënë operacionit ngjyrat e një goditje frontale ndaj krimit nga policia shqiptare duket se në të është përfshirë edhe një operacion fasadë për arrestimin e Klement Balilit, i palidhur me organizatën Avdulaj.
Por një fakt tjetër i rëndësishëm po mbahet sekret. Organizita Avdyli është grupi kriminal për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një hetim në ngarkim të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Edhe pse nuk është bërë asnjëherë publike zyrtarisht nga prokuroria, prokuria ka përgjime të bisedave të Dakos me Avdylajt për blerje dhe sigurim votash në shkëmbim të kontratave për punë publike të Bashkisë Durrës.
Ky fakt u denoncua në publik nga Partia Demokratike para një viti. Vangjush Dako paditi në gjykatë PD-në për shpifje, por gjykata vendosi në maj 2018 kundër Dakos, pasi duket se siguroi të dhëna për ekzistencën e hetimit.
Duket se kërkesa gjermane ka qenë shpëtim për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi ajo ka gjetur një rrugëdalje që të arrestojë Avdylajt pa prekur Dakon dhe për të varrosur kështu hetimin mbi Dakon. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë në javët e ardhshme.
Më poshtë është kronologjia e ngjarjeve që çuan në arrrestimin e antërave të grupit Avdyli, përfshi trysninë gjermane për këtë operacion.
4 Maj 2018 — Arbër Çekaj u arrestua në Duseldorf të Gjermanisë.
Gusht 2018 — Gjermania bllokon ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Shtator 2018 — Arbër Çekaj pranon të bashkëpunojë me policinë gjermane për të hetuar grupet kriminale që trafikojnë drogën drejt Gjermanisë përmes Shqipërisë.
3 tetor 2018 — Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë Stephan Mayer vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Tema kryesore e bisedimeve ishte shkëmbimi i informacioneve për të luftuar bandat e krimit të organizuar që vepronin në Shqipëri dhe Gjermani.
8-11 Tetor 2018 — Zëvendës Presidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler dhe drejtuesit të lartë të policisë kriminale të Gjermanisë zhvilluan një vizitë pune në Shqipëri. Ata takua Ministrin Xhafaj dhe drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë shqiptare dhe nënshkruan fillimin e një projekti bashkëpunimi për hetimet e përbashkëta të titulluar ORCA. Në konferencën e shtypit me Zv. Drejtorin Henzler, Ministri Xhafaj konfirmoi hetimet e përbashkëta gjermano-shqiptare në lidhje me trafikun e drogës ku përfshihet edhe Arbër Çekaj:
“Ka një ndryshim në këtë gjë, nuk është çështje ekstradimi më, por është çështje hetimi të përbashkët.
…Kemi disa operacione të suksesshme të realizuara gjatë këtij viti dhe kemi disa hetime të përbashkëta në proces, të cilat janë diskutuar midis përfaqësuesve të Policisë Kriminale gjermane dhe Policisë shqiptare dhe janë të nivelit operacional.”
17 tetor 2018 —Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Romann dhe Xhafaj njoftuan se mes dy vendeve do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh për të luftuar krimin e organizuar. Gjatë së njejtës konference për shtyp, Ministri Xhafaj njoftoi se në ditët në vazhdim, policia e shtetit do të bënte arrestime të rëndësishme.
19 tetor 2018 — Policia e Hasit zbuloi një laborator të përpunimit të heroinës dhe kokaine në Has. Policia sekuestroi 182,5 kilogramë morfinë dhe 22 litra lëndë të lëngshme që përdoreshin për prodhimin e heroinës. Gjatë operacionit policia arrestoi të paktën 10 persona, por emrat e tyre nuk u bënë publikë.
21 tetor 2018 — Në një operacion në Durrës e Shijak, policia arrestoi pesë anëtarë të familjes Avdyli, me në krye Flamur Avdylin, Gjevi Ndokën dhe 14 persona të tjerë si pjesë e një grupi të strukturuar që prodhonin dhe trafikonin heroinën dhe kokainën e prodhuar në laboratorin e Hasit.
Gjevi Ndoka, i njohur me pseudonimin “Xhevi” është vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, i cili po ashtu u arrestua dje. Deri më tani policia ka raportuar se ish-deputeti Ndoka është arrestuar për “tjetërsim pronash” përmes falsifikimit të dokumenteve dhe nuk ka lidhje me trafikun e drogës.
Policia arrestoi, gjithashtu, ish-deputetin e PS dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Sipas gazetares Klodiana Lala, Çuko u zbulua, se merrte rryshfete nga të dënuarit në këmbim të lejes, nga përgjimet e anëtarëve të bandës Avdylaj. Po sipas Lalës, Arben Çuko dhe Arben Ndoka janë kapur në përgjimet e të njëjtës bandë, megjithëse zyrtarisht Ndoka akuzohet për “tjetërsim pronash”.
Po më 21 tetor 2018, policia e Durrësit ndërmori një operacion në Durrës për të arrestuar Lulzim Berishën, të liruar nga burgu në dhjetor 2016. Urdhërarresti për Berishën ishte lëshuar nga prokuroria si pjesë e bandës së Avduljave. Sërish Lala pretendon se Berisha kishte marrë përsipër trafikimin e drogës nga Hasi, përmes portit të Durrësit drejt Gjermanisë, ku ndodhet edhe biznesmeni i arrestuar për 613 kilogramë kokainë Arbër Çekaj.
22 tetor 2018 — Në një konferencë të përbashkët shtypi prokurori–polici, Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela pohoi se ish-deputeti Ndoka akuzohet për tjetërsim pronash. Por ajo fshehu faktin se vëllai i tij u arrestua në të njejtën ditë arrestuar si pjesë e bandës Avdulaj.
Po më 22 tetor 2018, policia la të lirë Flamur Avdylin, pa dhënë arsye se pse. Flamur Avdyli njihet si pronari i disa bizneseve në Durrës dhe Shijak, mes të tjerash dhe një hotel luksoz me emrin “Germany” në Durrës.