Qeveria gjermane deklaroi të mërkurën për Gazetën Express në Kosovë se mbështet krijimin në Ballkan të një Tregu të Përbashkët Rajonal.
“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal,” citohet nga Gazeta një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Zëdhënësi shtoi se ushëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë zotuar për krijimin e Tregut në Samitin e Berlinit më 5 korrik, të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale,” u shpreh ai.
Qeveria gjermane në deklaratën e saj ka shmangur referimin direkt ndaj “Open Balkans”, megjithëse ishte pyetur në mënyrë eksplicite për projektin e udhëheqësve serb, shqiptar e maqedonas.
Kjo e bën qëndrimin e tyre pak të qartë, pasi një tjetër ide që u hodh nga kryeministri kosovar Albin Kurti në Samitin e Ballkanit në qershor ishte krijimi i një Zone të Lirë Ekonomike, ku vendet do të duhet të aderojnë si të barabartë me njeri-tjetrin.
Po ashti, ai propozoi që, ndryshe nga projekti i Minishengenit (Open Balkans), zbatimi i 4 lirive të monitorohet nga Bashkimi Evropian. Në kuadër të nismës, do duhet të krijoheshin edhe një Këshill, Komitet i Përbashkët, Gjykatë, Sekretariat dhe autoriteti i Mbikëqyrjes.
Propozimi për institucione të përbashkëta vendimmarrëse bën që kjo ide të jetë më afër përkufizimit të Tregut të Përbashkët, që përdorën gjermanët.
Ky përdorim nga ana e tyre mund të shihet si domethënës, pasi ai shkon shumë më tej se 4 liriveekonomike (të të mirave, kapitalit, shërbimeve dhe personave).
Një treg i Përbashkët, ndryshe nga Zona e Lirë Ekonomike që përfshin vetëm heqjen e barrierave doganore, përfshin edhe standardizimin e produkteve, institucione të përbashkëta si dhe një politike të vetme ekonomike në raport me palët e treta.
Vetë Komuniteti Ekonomik Evropian, paraardhës i BE-së, hasi në vështirësi të mëdha në njëjtësimin e politikave ekonomike, para adoptimit të Aktit Unik Evropian në 1986. Sërish, u deshën 6 vjet të tjera dhe 35 gjithsej qysh nga Traktati i Romës, për krijimin e Tregut të Përbashkët Evropian.
Por, deklarata jo fortë e qartë e gjermanëve mund edhe të lexohet në kuadrin e zgjedhjeve të reja federale në shtator, ku do të zgjidhet kancelari i i ri i vendi dhe me atë rast, nuk dëshirojnë të japin sinjale të forta në rast se qëndrimi i qeverisë do të ndryshojë.